Clinton, Nishanit : Do vazhdojmë bashkëpunimin Shqipëri-SHBA

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i ka dërguar një mesazh Presidentit të Republikës Bujar Nishani, në të cilin e falenderon per takimin gjate vizites se saj ne Tirane dhe akordimin e Urdhërit të Flamurit. Clinton më herët i ka dërguar një mesazh falënderimi kryesociastit Edi Rama.
Letra e Sekretares amerikane të Shtetit fillon me këto fjale, “I dashur zoti President!Takimi me ju në Pallatin e Brigadave ishte kënaqësi. Gjithashtu ishte privilegj për mua të vizitoja Tiranën gjatë këtij viti historik për Shqipërinë dhe të uroja vendin tuaj për 100-vjetorin e Pavarësisë”.
Ajo është shprehur ndër të tjera se, pranimi i Urdhrit të Flamurit Kombëtar përbënte një nder të madh për të. “Ky Urdhër do të shërbejë si një përkujtesë e rëndësishme e marrëdhënieve jetike mes dy popujve tanë. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”, thekson në mesazhin e saj Clinton.
Vetëm dy ditë më parë Clinton i ka dërguar një letër kreut të selisë rozë Edi Rama, në të cilën vlerëson takimin dhe diskutimet që pati me kryesocialistin, ndërsa nuk ka lënë pa e falënderuar edhe lidhur me dhuratën simbolike, emblemën prej argjendi me shqiponjën dy krenare.
Më 1 nëntor të 2012 Sekretarja Amerikane e Shtetit zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton "Shekulli".
Zonja Clinton takoi me radhë krerët e shtetit, kreun e opozitës, duke finalizuar vizitën në Tiranë me një fjalë përshëndetëse që u dëgjua me vëmendje në Parlamentin shqiptar.
Sekretarja amerikane dha disa mesazhe, në kuadër të plotësimit të reformave me qëllim integrimin në BE, Clinton garantoi se SHBA do mbështesë Shqipërinë.
Numri 2 i shtetit amerikan kërkoi që qeveria shqiptare të luftojë korrupsionin, të punojë seriozisht për zgjedhjet ndërsa apeloi që partitë politike të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve që e kanë besuar me votë. /Indeksonline/