E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton: Obama po bën një punë të shkëlqyer

Uashington- Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi se presidenti Barack Obama, rivali i saj fillestar në kampin demokrat, po bën "një punë të shkëlqyer". Gjatë një interviste të transmetuar sot nga rrjeti amerikan "ABC News", Clinton u shpreh se presidenti ishte i aftë të përballonte situatën, megjithëse ajo është tepër e vështirë.

Shefja e diplomacisë amerikane u pyet nga një ish-zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, George Stephanopoulos, i cili i rikujtoi spotin televiziv të fushatës elektorale për garën presidenciale, ku ajo shprehej se ishte personi i vetëm që mund të përballonte një situatë kaq të vështirë dhe t'i jepte një përgjigje të menjëhershme.

"A i është përgjigjur menjëherë presidenti situatës?", u shpreh Stephanopoulos. "Plotësisht", u përgjigj sekretarja amerikane e Shtetit. "Dhe po ju them më tepër ai ka dhënë një përgjigje të menjëhershme jo vetëm publikisht përmes veprimeve dhe qëndrimeve të tij, por edhe në situata private, ku jemi ndodhur unë dhe ekipi i tij i këshilltarëve për sigurinë kombëtare, është treguar i vendosur, i matur dhe i prerë", shtoi ajo."Mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer dhe për mua është nder që jam përkrah tij", theksoi Clinton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›