E Diel, 1 Nëntor 2026

Evropianët bojkotojnë zgjedhjet për PE-në

Bruksel-Evropianët morën pjesë sot në zgjedhjet për Parlamentin e Strasburgut, me një dështim tjetër elektorak të parashikuar për Gordon Brown në Britaninë e Madhe dhe për pjesën tjetër me kërcënimin për një abstenim rekord dhe me një hapje për disa parti protestuese. Në një përpjekje të fundit për mobilizim, presidenti i Komisionit Evropian, portugezi José Manuel Barroso, u kërkoi qytetarëve të Bashkimit Evropian të shkojnë në votime për të zgjedhur deputetët e Parlamentit Evropian, "një asamble që po bëhet çdo ditë e më e rëndësishme".

"Do të doja që tendenca për një pjesëmarrje në rënie të përmbyset", deklaroi Barroso duke votuar në vendin e tij, Lisbonë. Ai kujtoi se përpara 20-vjetëve, në shumë vende që janë sot anëtare të BE-së, nuk mund të votohej lirisht". Në një votim që zgjati katër ditë që nga e enjtja, rreth 388 milionë qytetarë janë thirrur të zgjedhin 736 eurodeputetë. Në shumicën e vendeve, ndër të cilët Franca, Gjermania, Spanja ose Polonia, votimi filloi sot.

Rezultatet e para zyrtare për orientimin politik të Parlamentit do të bëhen të ditura duke filluar nga ora 20:00 GMT, por që në orët e para të mbrëmjes, disa sondazhe pas mbylljes së qendrave të votimit kombëtar pritet të japin tendencat. Një abstenim rekord po profilizohet pasi ka arritur tashmë në 54,6 për qind gjatë votimit të mëparshëm. Shkaku: Parlamenti Evropian shihet si shumë i largët nga zgjedhësit dhe mungesa e sfidave të qarta për këtë votim.

Në Itali, ku këto zgjedhje përbëjnë një test për kryeministrin Silvio Berluskoni i cili po përballet me skandale, pjesëmarrja ka regjistruar një rënie ditën e parë prej 17,8 për qind kundrejt 20,5 për qind në të njëjtin çast përpara pesë vjetëve. Në Holandë, pjesëmarrja arriti në 36,5 për qind kundrejt 39,2 për qind në vitin 2004. Në Francë, sondazhet parashikojnë një përqindje abstenimi prej 56-62 për qind, kundrejt 57,2 për qind në vitin 2004.

Në Gjermani, vend që zgjedh numrin më të madh të eurodeputetëve, zgjedhësit mund të jenë pak më të mobilizuar për shkak të përkitjes në të njëjtën datë me zgjedhjet bashkiake. Por, ata i kanë sytë nga zgjedhjet legjislative të fundit të shtatorit.
Kjo mungesë interesi përbën një favor për partitë antievropiane që fitojnë pikë nga vështirësitë e qeverive përballë krizës, frkës për imigracion dhe nga mungesa e interersit të shumë zgjedhësve për institucionet evropiane.

Në Holandë, drejtimi u përcaktua që të enjten me një hapje për partinë e ekstremit të djathtë islamofobe të deputetit Geert Wilders i cili mori 17 për qind të votave. Në Austri, partia e ekstremit të djathtë FPO parashikohet nga sondazhet të marrë më tepër se 15 për qind kundrejt 6,31 në vitin 2004. Dhe në Rumani, votimi mund të sjellë futjen në Parlamentin Evropian të partisë Rumania e Madhe (PRM, ekstrem i djathtë).

I njëjti skenar edhe në Hungari. Partia e ekstremit të djathtë Jobbik mund të pretendojë për një ose dy vende. Në Britaninë e Madhe, ku kryeministri laburist, Gordon Brown ka pranuar tashmë disfatën e partisë Laburiste, Partia për pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuara (UKIP), që shprehet për tërheqjen nga BE-ja, mund ta kalojë shifrën e 20 për qindëshit dhe të marrë më tepër vota se sa partia e Laburistëve.

Pas një disfate poshtëruese në zgjedhjet lokale, Gordon Brown do të ndeshet me rritje tjetër të presionit të ushtruar ndaj tij për të dhënë dorëhejen që arrin në një rebelim brenda partisë së tij. Në përgjithësi në Evropë, sondazhet parashikojnë një fitore për partitë e djathta që drejtojnë rreth 20 qeveri në të 27 vendet e BE-së.

Si pasojë, ekuilibri në Parlamentin Evropian pritet të qëndrojë i pandryshuar. E majta socialdemokrate, e paaftë të përfitojë nga kriza, pritet të qëndrojë forca e dytë politike pas asaj të qendrës së djathtë, madje duke marrë më tepër se Liberalët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›