E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton-Sejdiut: SHBA përkrah Kosovës

Uashington - “Pavarësia ka qenë shpërblesa më e mirë e shtetit dhe vetë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë zhvilluar në një demokraci të re multienike”, theksoi dje sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, dje në Uashington, pas takimit me delegacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, të përbërë nga Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skender Hyseni.

“Unë kam përgëzuar presidentin dhe kryeministrin për gjithë progresin e arritur në Kosovë dhe për vitin e parë historik si shtet i pavarur. Është një privilegj i madh dhe nder për të parë të gjitha të arriturat e Kosovës që nga kohët e tmerrshme të represionit dhe luftës vite më parë”, theksoi fillimisht Sekretarja Klinton.
Ajo theksoi se Presidenti dhe Kryeministri, gjatë diskutimeve për situatën ekonomike dhe nevojën për të ofruar një jetë më prosperuese për njerëzit e Kosovës, kanë theksuar vizionin e tyre për një demokraci multietnike dhe për paqe me fqinjët. Ky vizion, shtoi Klinton, është formësuar edhe në vetë flamurin e Kosovës, ku janë simbolizuar përkatësitë e ndryshme etnike, shqiptarët, serbët, romët e të tjerët, që Kosovën e kanë shtetin e tyre.

“Unë u kam thënë që SHBA do të punojnë me partnerët e tyre evropianë dhe do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për demokracinë me të re sot në botë. Unë absolutisht ndihem e ngazëllyer t’ju dëshiroj mirëseardhje në Uashington”, tha Sekretarja Klinton.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pasi ka shprehur falënderimet e udhëheqjes dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e gjithmonshme dhe të fuqishme që SHBA i kanë dhënë Kosovës, theksoi se “pa rolin e SHBA dhe të aleatëve të përbashkët, Kosova nuk do të ishte në këtë pikë të zhvillimeve të saj pozitive”, duke e quajtur këtë një rol konstant në të gjitha administratat për kohë të gjatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›