E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manaj: Respektimi i të drejtave të njeriut, prioritet

Prishtinë - "Promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut në veçanti qasja e barabartë dhe kundër diskriminimi janë parime themelore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj zbatimi i tyre në praktikë është përgjegjësi jo vetëm e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve". Kështu u shpreh sot zëvendëskryeministri Ramë Manaj në Konferencën për promovimin e strategjisë dhe planit të veprimit për të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës 2009 2011, e cila është mbajtur nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim dhe përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të OSBE së dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Manaj theksoi se Qeveria e Kosovës synon që përmes këtij dokumenti të ofrojë hapat e nevojshëm për të planifikuar dhe të koordinuar aktivitetet e nevojshme në përmirësimin e politikave në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai shtoi se qeveria ka parashtruar politika të qarta konkrete, efektive dhe të qëndrueshme që janë të domosdoshme të prodhojnë efekte pozitive në reflektim të respektimit të të drejtave të njeriut në shkallë më të kënaqshme.

Qeveria duke qenë jetësisht e përkushtuar për të zbatuar në praktikë të këtij plani, shpreh edhe gatishmërinë e mbështetjes financiare të projekteve të kësaj fushe, por do të punojë edhe në ngritjen dhe forcimin e mekanizmave në përkrahje të drejtave të njeriut, tha Manaj. Sipas tij, në kuadër të ndërtimit të një shoqërie demokratike në Kosovë, qeveria mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me Kushtetutën e saj dhe duke u bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare.

Zv.shefi i OSBE së në Kosovë, Marku Lamanen, vlerësoi se ky dokument është gurë themel për zhvillimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndërsa përfaqësuesi i agjencive të Kombeve të Bashkuara, Pol Miler tha se sikurse në të gjitha vendet demokratike edhe në Kosovë duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe deklarata mbi të drejtat e njeriut e nënshkruar para 6 dekadash, të bëhet realitet. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›