Clinton do të dëshmojë për sulmin në Bengazi

Clinton do të dëshmojë pak pas publikimit të raportit përfundimtar për ngjarjen në fjalë nga ana e Departamentit të Shtetit. Publikimi i këtij raporti pritet të ndodhë javën e ardhshme dhe më shumë mundësi, brenda po kësaj jave, do të mbërrijë dëshmia e Clintonit, e cila pritet të jetë publike dhe me praninë e medieve.
Katër amerikanë gjetën vdekjen në sulmet e 11 shtatorit të këtij viti në konsullatën amerikane në qytetin lindor libian, Bengazi. Sulmet ndaj zyrës diplomatike amerikane pasuan pas publikimit në SHBA të një filmi “ofendues” për profetin Muhamed.
Atentati në Bengazi u shndërrua në një temë në debatin e ashpër gjatë garës presidenciale mes Barack Obamas dhe rivalit të tij republikan, Mitt Romney.
Republikanët akuzuan administratën demokrate se u kap e papërgatitur nga sulmet, ndërsa vetë këta të fundit, njoftuan më vonë se bëhej fjalë për një sulm të mirë-organizuar terrorist dhe jo të rastësishëm.