E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton e Ahtisaari, angazhohen për njohje?

Nga Express më 09 maj 2011 në ora 13:12

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe nobelisti finlandez, Martti Ahtisaari, kanë pranuar ftesën e autoriteteve të Prishtinës për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kurse për punën e iniciativës së forcuar diplomatike, me këtë qëllim janë mbledhur 10 milionë dollarë.

Sipas gazetës serbe “Blic”, e cila thirret në burime të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, kjo shumë paraqet dhjetë fish më shumë nga shuma që ndan Serbia. Beogradi zyrtar po ndjek me kujdes të madh aksionin e ri lobues të Prishtinës, sepse shtimi i dukshëm i njohjeve “do të ndikonte keq në atmosferën politike në të cilën po zhvillohet procesi negociues”, shkruan “Blic”, që e transmeton Zëri.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, vlerëson se periudha deri në fund të shtatorit, deri kur do të dominojë një numër i madh i takimeve multilaterale në të cilat marrin pjesë shumica e vendeve islamike dhe afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën, do të jetë kritike për Serbinë.

Mediet vendore kohës së fundit kanë shkruar se Prishtina është në rrugë të finalizimit të strategjisë zyrtare për lobim dhe se protagonistë kryesorë të ofensivës së ardhshme diplomatike do të jenë presidentja Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

E përditshmja serbe “Blic” shkruan gjithashtu se diplomacia serbe me “depeshe miqësore është informuar se Pacolli ka siguruar gjysmën e parave të nevojshme, përkatësisht pesë milionë, kurse pesë milionë të tjerë janë siguruar nga diaspora shqiptare”. (Telegrafi)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›