E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelësit pa gjoba

Ligji i punës ka katër muaj që ka hyrë në fuqi, por deri tani Inspektorati nuk ka shqiptuar asnjë gjobë. Inspektimet e vërteta fillojnë këtë muaj. Inspektorët thonë se nuk do ta falin asnjë punëdhënës që i shkel të drejtat e punëtorëve. E, hulumtimet e sindikatave tregojnë se 70 për qind e punëtorëve janë pa kontrata Nga Albulena Maloku më 09 maj 2011 në ora 14:00

Katër muajt e parë të këtij viti kanë kaluar pa asnjë gjobë për punëdhënësit, për moszbatimin e Ligjit të punës. E, ankesa të shumta për shkeljen e të drejtave të tyre, punëtorët kanë filluar t’i adresojnë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Një gjë të tillë, ata nuk e kishin bërë deri më tani.

Ministria e Punës e kishte shpallur prillin muaj të amnistisë për Ligjin e punës. Gjatë muajit maj, Inspektorati do të shtojë aktivitetet nëpër të gjitha komunat për të monitoruar zbatimin e këtij ligji. Nuk do të mungojnë as gjobat, pasi që tani të gjithë punëdhënësit janë informuar për së afërmi me këtë ligj.

E, hulumtimet e sindikatave në Kosovë kanë alarmuar për shkelje të tmerrshme të të drejtave të punëtorëve dhe për miliona euro të humbura në vit nga mungesa e zbatimit të Ligjit të punës. Posaçërisht në sektorin privat, ku vlerësohet se mbi 70 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës, tha për “Express”, se Ligji i punës ka reflektuar pozitivisht te punëdhënësit. Ata, sipas tij, në muajt e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë shprehur interesimin e tyre për dispozita të caktuara të ligjit, të cilat i kanë pasur dilemë për mënyrën se si të zbatohen. Përveç kësaj, ai tregon se punëtorët janë bërë më të guximshëm tani, për të treguar për shkeljet që bëhen ndaj tyre nëpër vendet e punës. “Në këta katër muaj, punëtorët kanë marrë guximin që të bëjnë ankesa për shkeljet që bëhen ndaj tyre, përderisa në vitin e kaluar nuk kemi pasur asnjë ankesë”, thotë kryeinspektori Ibrahimi.

Nga ankesat e shumta që u kanë ardhur, pikat kyçe të shkeljes kanë qenë orari i zgjatur i punës dhe puna gjatë vikendeve.

“Këto janë disa nga kriteret që punëtorët pretendojnë se po iu shkelen të drejtat e tyre në punë”, tha Ibrahimi.

Edhe gjatë inspektimeve, ai thotë se kanë vërejtur se punëdhënësit kanë filluar t’ua bëjnë kontratat të gjithë punëtorëve, të cilat deri më tani nuk i kanë pasur. Por, nga inspektimet e muajit prill, ai thotë se nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë, pasi që kjo kohë ka qenë vetëm sa për t’i informuar punëdhënësit për zbatimin e këtij ligji.
“Muaji maj do të jetë më i intensifikuar me inspektimet tona dhe pastaj nga vëzhgimet tona, ne do të veprojmë sipas ligjit”, tha ai.

E, sa u përket hulumtimeve të sindikatave se 70 për qind e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa kontrata, ai e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se numri i atyre që nuk kanë kontrata mund të arrijë vetëm deri në 15 për qind.

Me zbatimin e këtij ligji nuk janë të kënaqur as udhëheqësit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i BSPK’së, Haxhi Arifi, shpreson se muajt e ardhshëm për zbatimin e Ligjit të punës, do të jenë më ndryshe nga këta të këtij fillim viti. “E pranoj se implementimi i Ligjit nuk është në hapin e duhur, edhe pse muaji prill ishte shpallur muaj i amnistisë. Por besoj se muaji maj do të jetë më ndryshe”, thotë Arifi.

Tani ata presin që Inspektorati të jetë në terren për të monitoruar zbatimin e këtij ligji në çdo ndërmarrje. “Tani, pasi të gjithë punëdhënësit janë informuar me këtë ligj, ata duhet ta zbatojnë, e nëse jo, atëherë duhet të shqiptohen gjoba për ta”, thotë kreu i BSPK’së, Arifi.

Sipas një hulumtimi të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, del se mbi 70 për qind e punëtorëve të këtij sektori nuk kanë kontrata pune. Kreu i SPEVZ-së, Jusuf Azemi, më herët pati deklaruar se gjatë vizitave në terren është konstatuar një situatë shumë e rëndë e punëtorëve. Sipas tij, diskriminimi i punëtorëve në Kosovë po bëhet në format më të vrazhda. Sipas llogarive që i ka bërë kjo sindikatë, del që prej 200 mijë punëtorëve sa janë në sektorin privat, prej tyre vetëm 50 deri në 60 mijë janë të siguruar dhe që paguajnë kontribute. “Kurse mbi 150 mijë punëtorë vërtet sot pranohen, e nesër mund të largohen për në shtëpitë e tyre”, ka shpjeguar Azemi.

Por, veç punëtorëve, “fshehja” e punëtorëve nga kompanitë private po e dëmton buxhetin e Kosovës miliona euro. Saktësisht, sipas kësaj sindikate, mbi 15 milionë euro dëmtohet buxheti i Kovës për një vit nga mungesa e kontratave. Ndërkaq, sektori ku janë evidentuar më së shumti shkelje të të drejtave të punëtorëve, është ai i ndërtimtarisë.

2 milionë për çdo vit

Ligji i punës rregullon të drejtat dhe obligimet e të punësuarve dhe të punëdhënësve, themelimin e marrëdhënies së punës, sistemimin në vendin e punës, orarin e punës, pushimet dhe mungesat në punë, mbrojtjen dhe sigurinë në punë, pagat dhe përfitimet e të punësuarve dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2011 -2013 për zbatimin e Ligjit të punës, janë paraparë nga rreth dy milionë euro për çdo vit fiskal.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›