E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton e Lavrov, ende larg për Iranin



Shtetet e Bashkuara dhe Rusia thonë se ka pasur përparim të konsiderueshëm në bisedimet lidhur me një traktat të ri për të zvogëluar arsenalet e tyre bërthamore.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka zhvilluar një vizitë në Moskë, tha se dy fuqitë më të mëdha bërthamore kishin përgjegjësi për të treguar udhëheqësi në çështjet e çarmatimit. Megjithatë në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ajo nuk tha nëse kishte mundur ta bindte Rusinë për të rënë dakord për sanksione të mëtejshme ndaj Iranit lidhur me programin e tij bërthamor.

Fillim i ri

Administrata e presidentit amerikan Barack Obama është përpjekur t'i japë një rifillim të ri marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe duket se ka një ndryshim toni tani. Duke folur pas bisedimeve me homologun e saj rus, sekretarja amerikane e Shtetit tha se tani marrëdhëniet kishin arritur në një periudhë të re, më pozitive. "Ne besojmë fuqishëm se duke punuar së bashku ne hap pas hapi po i transformojmë këto marrëdhënie, që më parë përcaktoheshin nga hija e shkatërrimit të ndërsjellë, në një marrëdhënie që bazohet në respektin e ndërsjellë, dhe me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë besim i ndërsjellë", - tha zonja Clinton. Çelësi i këtij ndryshimi duket se nuk është vetëm ndryshimi i administratës në Uashington, por gjithashtu edhe njoftimi se SHBA-ja nuk do të vazhdojë me ndërtimin e sistemit të mbrojtjes raketore në Evropën lindore sikurse ishte planifikuar.

Reciprocitet për Iranin

Tani në një farë mënyre Uashingtoni po pret një hap reciprociteti nga Moska, domethënë ndonjë veprim të përbashkët diplomatik, apo sanksione a masa të tjera, për t'i bërë presion Iranit për të hequr dorë nga programi i pasurimit të uraniumit.

Në konferencën e përbashkët të shtypi me zotin Lavrov, sekretarja amerikane e Shtetit tha se programi bërthamor i Iranit mbetej një çështje shumë shqetësuese. Ajo tha se Rusia ka qenë shumë bashkëpunuese, por se nuk ka ardhur ende koha për sanksione të mëtejshme.

Analistët thonë se Uashingtoni do të kishte dashur të dëgjonte se çfarë hapash konkrete do të ndërmerrte Rusia për ta bindur Iranin për të hequr dorë nga programi i pasurimit të uraniumit. Por në vend të kësaj ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov tha se ai besonte se do të ishte kundër-produktive të kërcënoje me sanksione në rrethanat e tanishme.

"Presidenti (Medvedev) nuk ka thënë se sanksionet janë të paevitueshme, ai tha se ne kemi një qëndrim të rezervuar ndaj sanksioneve, sepse ato rrallë japin rezultate," tha zoti Lavrov. "Megjithatë ka raste kur sanksionet bëhen të paevitueshme dhe kjo ndodh një situatë kur janë përdorur të gjitha rrugët e mundshme politike dhe diplomatike", - tha ai dhe shtoi: "Gjendja me Iranin është larg të qenit e tillë". Mbështetja e Rusisë ka rëndësi, sepse si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ajo mund të përdorë fuqinë e vetos për të bllokuar ndonjë rezolutë për sanksione të reja. Edhe Moska ka shqetësimet e veta lidhur me veprimtarinë bërthamore të Iranit. Rusia nuk dëshiron të shohë vende të tjera që të zhvillojnë armë bërthamore, prandaj kjo duket se është një vijë e fuqishme e kuqe që është hequr nga rusët. Pra çështja tani duket se është nëse Rusia beson në vërtetë se Irani po e bën këtë gjë dhe ata ende po e shqyrtojnë këtë çështje në Moskë.

Traktati i armëve

Kryediplomatët diskutuan një gamë të madhe çështjesh. Zoti Lavrov tha se përpjekjet për të zëvendësuar Traktatin për Zvogëlimin e Armëve Strategjike ishin ende në binarë.

"Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm," tha zoti Lavrov. "Në të njëjtën kohë ne kemi diskutuar ato çështje për të cilat ende pritet të bihet dakord dhe që kërkojnë punë të mëtejshme", - shtoi ai. "Ne ramë dakord që të vazhdojmë përpjekjet për të bërë ç'është e mundur për ta përfunduar këtë punë në kuadrin e përcaktuar kohor – domethënë brenda dhjetorit të këtij viti".

Për çështjen e planeve të ndryshuara të Uashingtonit lidhur mbrojtjen raketore, zonja Clinton tha se SHBA-ja ishte e gatshme të zhvillonte një sistem të ri të mbrojtjes raketore në partneritet me Rusinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›