E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qasja e re për sigurinë e ushqimit

Për 1 miliard njerëz në mbarë botën, përpjekjet e përditshme për të prodhuar, shitur apo blerë ushqim përbëjnë luftën që përcakton jetët e tyre. Kjo ka rëndësi për të gjithë ne. Përfytyroni një fermere të vogël, tipike në botë. Jeton në fshat, ngrihet që pa gdhirë dhe bën kilometra të tërë për të mbushur ujë. Nëse thatësira, sëmundjet apo insektet nuk ia shkatërrojnë të mbjellat, ajo do mund të rrisë ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer familjen e saj – dhe mund të mbetet edhe ndonjë gjë për të shitur. Por nuk ka rrugë të shtruar deri tek tregu më i afërt dhe askujt nuk i leverdis të shkojë deri tek ajo për të blerë.
Tani përfytyroni një djalosh në një qytet të populluar, 100 km larg kësaj fermereje. Ai ka një punë që paguhet fare pak. Ai shkon në treg, por ushqimet janë duke u kalbur ose tepër të shtrenjta. Ajo ka ushqime që i teprojnë për t’i shitur, ndërsa ai kërkon të blejë. Por ky shkëmbim i thjeshtë nuk mund të realizohet për shkak të forcave të ndërlikuara që janë jashtë kontrollit të tyre. Përballimi me sfidën e urisë nëpër botë është thelbi i “sigurimit të ushqimit” – fuqizimi i fermerëve nëpër botë për të mbjellë dhe korrur prodhime të begata, për t’u kujdesur efektshëm për gjedhët dhe për të kapur peshkun, e më pas për t’u siguruar që ushqimi që prodhojnë të mbërrijë tek njerëzit që kanë nevojë për të. Sigurimi i ushqimit përfaqëson ndërthurjen e disa çështjeve: thatësira dhe përmbytje të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike, luhatje në ekonominë globale që prekin çmimet e ushqimeve, si dhe majat në çmimet e naftës që rrisin kostot e transportit.

Pra, sigurimi i ushqimit nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin, por ka të bëjë shumë me sigurimin e tij. Uria kronike kërcënon individë, qeveri, shoqëri dhe kufij. Njerëzit që janë duke vdekur urie apo të kequshqyer e nuk mund të përkujdesen për familjet e tyre, ndihen të pashpresë dhe të dëshpëruar, çka mund të çojë në tension, konflikt, madje edhe dhunë. Që nga viti 2007 ka pasur trazira për ushqimin në më shumë se 60 vende.
Dështimet në bujqësinë e fermave në shumë pjesë të botës kanë ndikim gjithashtu edhe në ekonominë botërore. Bujqësia e fermave është i vetmi ose burimi kryesor i të ardhurave për më shumë se treçerekun e të varfërve në botë. Kur kaq shumë vetë punojnë fort por sërish nuk arrijnë t’ia dalin, përparimi i gjithë botës mbahet peng.
Administrata Obama e sheh urinë kronike si një përparësi të rëndësishme për politikën tonë të jashtme. Edhe vendet e tjera po bashkohen me ne në këtë përpjekje. Kombe të mëdha të industrializuara kanë dhënë më shumë se 22 miliardë dollarë gjatë këtyre tri viteve për të nxitur rritjen ekonomike të drejtuar nga bujqësia. Në 26 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon dhe unë drejtuam një takim udhëheqësish nga më shumë se 130 vende të botës për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.

Përvoja do të përbëjë informacionin kryesor për qasjen tonë. Ne kemi shpenzuar tepër vite e dollarë duke zhvilluar projekte që ende nuk kanë dhënë rezultate të përhershme. Por kemi nxjerrë mësime nga ato përpjekje. Ne e dimë që strategjitë më të mira dalin nga ata që janë pranë problemeve, e jo nga qeveri të huaja apo institucione që janë mijëra km larg. Ne e dimë që zhvillimi funksionon më mirë kur shihet si investim, jo si ndihmë.

Me këto mësime në mendje, nisma jonë mbi sigurimin e ushqimit do të udhëhiqet nga pesë parime. Së pari, nuk mund të ketë një model të njëjtë për të gjithë në bujqësi. Ne do të punojmë me shtetet partnere për të krijuar dhe zbatuar planet e tyre. Së dyti, ne do të merremi me çështjet në rrënjë të urisë duke investuar në çdo gjë, që nga farat më të mira deri tek sigurimet për fermerët e vegjël. Do të nxisim aftësitë dhe vendosmërinë e fermereve femra, të cilat përbëjnë shumicën e fermerëve në botë. Së treti, do të vëmë theksin mbi bashkërendimin në nivel rajonal, shtetëror dhe botëror, pasi asnjë nuk mund të eliminojë urinë i vetëm. Së katërti, do të mbështesim institucionet shumëpalëshe të cilat kanë shtrirje dhe burime si askush tjetër. Së fundmi, ne kërkojmë përkushtim dhe llogaridhënie afatgjatë, si dhe do të investojmë në mjete monitoruese dhe vlerësuese që do t’i bëjnë përpjekjet tona transparente. Përpjekjet tona në zhvillimin e bujqësisë do të plotësojnë përkushtimin tonë për të siguruar ushqim emergjent në rastet kur godasin tragjeditë apo fatkeqësitë– si po ndodh tani në Kepin e Bririt në Afrikë, ku thatësira, dështimi i të korrave dhe lufta civile kanë shkaktuar një krizë humanitare shkatërrimtare. Rigjallërimi i bujqësisë botërore nuk do të jetë i lehtë. Në fakt, është një nga përpjekjet më ambicioze diplomatike dhe zhvilluese që ka ndërmarrë ndonjëherë vendi ynë. Por është e mundur. Ia vlen të bëhet e mundur. Dhe nëse ia dalim, e ardhmja jonë do të jetë më e begatë dhe e paqtë sesa e kaluara jonë.

Ekskluzive per "Gazeta Shqiptare"

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›