E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton kërkon shpjegime nga Irani

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i ka kërkuar Iranit të japë shpjegimet e nevojshme brenda pak ditësh për raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (AIEA), në lidhje me programin e tij bërthamor.

Raporti i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e energjisë bërthamore, publikuar pak ditë më parë, akuzon Republikën Islamike se po tenton të prodhojë armë bërthamore nëpërmjet programit të saj.

Agjencia thotë se krahas qëllimeve paqësore të Iranit, ekziston edhe mundësia reale e tij për zhvillimin e mbushjeve bërthamore brenda një viti.

Në pritje të samitit të ekonomive të Azisë dhe Paqësorit, APEC, Clinton tha se ka njohur 21 vendet pjesëmarrëse të këtij samiti për qëllimet e Iranit.

“Irani prej shumë kohësh kërkon të mohojë realitetin në lidhje me programin e tij bërthamor”, theksoi Clinton.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore apeluan për shtimin e presioneve diplomatike ndaj Teheranit nëpërmjet rezolutave të OKB-së.

Por këto nisma të Perëndimit kanë hasur në kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës. Dy anëtaret e Këshillit të Sigurimit kanë bërë me dije prej kohësh se nuk do të pranojnë kurrfarë sanksionesh shtesë ndaj Iranit.

Kohët e fundit, në media, fillimisht atë izraelite e më pas në atë britanike, u përhap lajmi për një sulm të mundshëm ushtarak të Izraelit, koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe kundër Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›