Clinton në sheshin Tahrir

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka shëtitur në Sheshin Tahrir në Kajro, që ishte qendra e kryengritjes popullore, nga e cila u përmbys regjimi i liderit autokrat në Egjipt, Hosni Mubarak.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme për përkthimin e asaj që ndodhi në Sheshin Tahrir, në një realitet të ri në Egjipt”, tha Clinton.
Sekretarja Clinton ndodhet për vizitë dyditëshe në Egjipt, për të kërkuar nga liderët e pushtetit ushtarak që t’i përmbahen premtimeve për reforma demokratike.
Ajo është zyrtarja më e lartë amerikane që e viziton Egjiptin, pasi ish-presidenti Hosni Mubarak, u detyrua të tërhiqet nga pushteti, në muajin shkurt.
Më vonë gjatë ditës, Clinton udhëtoi për në Tunizi.
Suksesi i protestave antiqeveritare të muajit dhjetor në Tunizi, kanë inspiruar revoltat e ngjashme në mbarë botën arabe.