E Diel, 1 Nëntor 2026

PE thirrje për shmangien e tensioneve ndëretnike dhe politike

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 20:03

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack ka apeluar që në Maqedoni të shmangen tensionet e mëtejshme ndëretnike dhe opozita të kthehet në Parlament.

“Në interes të vendeve fqinje është moseskalimi i situatës. Bojkotimin e Parlamentit e kemi parë edhe në Shqipëri, por më intereson fakti se përse në Maqedoni socialdemokratët po bojkotojnë Parlamentin. A ka kjo lidhje me një televizion i cili ka qenë i trajtuar keq nga pushteti ?, Por siç kam njohuri unë, pronari i këtij televizioni nuk ka paguar tatimet ndaj shtetit”, ka deklaruar evrodeputetja Pack.

Marrëdhëniet ndëretnike, problemi me emrin, dialogu politik dhe gjendja e mediave kanë qenë temat e debatit të sotëm të Parlamentit Evropian, ku në rend dite ishte shqyrtimi i projekt-rezolutës për Maqedoninë, e propozuar nga raportuesi i Parlamentit Evropian, Zoran Taler.

Deputetët e PE-së kanë shprehur kritika për trajtimin e fundit jokorrekt dhe injorues të evroambasadorit Ervan Fuere nga ana e Qeverisë. Raportuesi Zoran Taler theksoi se PE sërish propozoi që të hapen sa më shpejt bisedimet paraqasëse për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Ai theksoi se PE dëshiron program të precizuar nga Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë lidhur me integrimet evropiane, duke shprehur interesim edhe për dialogun politik, mediat dhe gjyqësorin e pavarur, si dhe shënimin e dhjetëvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Eurodeputetët grekë, Jorgos Kumuicakos, Maria Eleni Kopa, Marina Janaku kanë akuzuar autoritetet e Shkupit për papërgjegjësi dhe zvarritje të procesit të zgjidhjes së kontestit të emrit, meqë sipas tyre, Greqia ka bërë lëshimet e tyre në këtë kontest. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›