E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton për lidhje më të ngushta me Kinën

SHBA-ja dhe Kina kanë hapur një takim të nivelit të lartë që synon të forcojë marrëdhëniet e tyre të gjera ekonomike dhe nganjëherë të edhe të tendosura, ndonëse rëndësia e këtij takimi është lënë në hije nga situata me Korenë e Veriut.

Në fjalën e saj hapëse, Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, i bëri thirrje Kinës për bashkëpunim në trajtimin e situatës bërthamore me Iranin dhe fundosjes së anijes së Koresë së Jugut, për të cilën fajësohet Koreja e Veriut.

Duke theksuar shqetësimet për të drejtat e njeriut, Clinton tha se dy vendet e fuqishme nuk do të bien dakord në çdo çështje, por do ti diskutojnë hapur ato.

Presidenti kinez, Hu Jintao, tha në ceremonitë hapëse se dy fuqitë globale duhet të përmirësojnë koordinimin e politikave ekonomike.

Megjithatë, ai tha se Kina do të vazhdojë gradualisht të reformojë kursin e këmbimit të monedhës së saj.

Washingtoni e akuzon Pekinin se e ka mbajtur artificialisht të ulët vlerën e monedhës së vet, për të bërë më të lira eksportet kineze në tregjet botërore, diçka kjo që hidhet poshtë nga Kina.

Sekretraja Clinton po kryeson një delegacion prej 200 zyrtarësh shtetëror, mes tyre edhe Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner.

Ata do të marrin pjesë në takime dy ditore ekonomike dhe politike me homologët kinezë në Sallën e Madhe Popullore të Pekinit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›