Policia shpërndan protestuesit në Bahrejn
Teksa vazhdojnë trazirat në pjesë të Lindjes së Mesme dhe në Afrikën Veriore, forcat e sigurimit në Bahrejn kanë sulmuar një kamp të ngritur nga demonstruesit anti-qeveritar në qendër të kryeqytetit, Manama.
Opozita thotë se të paktën dy persona janë vrarë dhe mjaft të tjerë janë plagosur.
Mijëra demonstrues gjendeshin në shesh, kur policia arriti në masë dhe nisi të hedhë gaz lotsjellës dhe qëlloi me fishekë gome, duke bërë që protestuesit të largohen.
Në rrugët e qytetit janë parë edhe tanke.
Ditën e mërkurë, mijëra demonstrues në Bahrejn zhvilluan për të tretën ditë radhazi një protestë anti-qeveritare në Manama.
Ata u mblodhën përsëri në sheshin Perla, ku shumë prej demonstruesve kishin qëndruar gjatë natës.
Forcat e sigurisë u tërhoqën për të shtendosur situatën, pasi nga përleshjet e mëparshme dy vetë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Protestuesit bënë thirrje për reformë politike, lirimin e të burgosurve politikë dhe siç thonë dhënien fund të shkeljes së të drejtave qytetare.
Një natë më parë, gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion, mbreti i vendit njoftoi fillimin e një hetimi mbi vdekjen e dy protestuesve.