Liderët politik nderojnë presidentin Rugova

Me rastin e shënimit të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës, liderë institucional dhe ata politik nuk kanë harrur të nderojnë presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, duke u përkulur para varrit të tij dhe gjithashtu duke vizituar edhe familjen e tij.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi pas nderimit që ka bërë te varri edhe njëherë ka uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës trevjetorin e shpalljes së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.
Thaçi ka shtuar se sot kur po ndërtohet shteti i Kosovës, kur po konsolidohet dhe forcohet në të gjitha aspektet në atë të sigurisë, të ekonomisë gjithashtu edhe në aspektin diplomatik, ku është njohur nga 75 shtete, ka një rrugë të sigurt të integrimit euro-atlantik.
Ai ka shtuar se sot kur shënohet trevjetori e pavarësisë, kujtohet e kaluara jonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, gjithë luftëtarët e lirisë dhe meritën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për pavarësinë e Kosovës. Po ashtu ai ka shprehur mirënjohje dhe respekt për gjithë botën ndërkombëtare demokratike për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të rendit demokratik.
I pyetur nga mediat se a ka qenë pavarësia e Kosovës edhe projekt i presidentit të ndjerë Rugova, Thaçi ka shtuar se ky ka qenë projekt i gjithë qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se kontribut të madh kanë dhënë edhe liderët politik.
“Pavarësia e Kosovës është vullneti dhe projekti i qytetarëve të Kosovës, i implementuar më 17 shkurt 2008, kontributi i çdo lideri politik është vlerësuar dhe meriton respektin më të madh, prandaj jemi edhe sot këtu për të shprehur mirënjohjen, për të shprehur nderimin shtetëror”, ka theksuar Thaçi.
Pas homazheve, kryeministri Thaçi ka vizituar edhe familjen Rugova ku është pritur nga të gjithë anëtarët.
Një nderim figurës së Rugovës i ka bërë edhe lideri i Aleancës për Kosovë të Re dhe njëherë i propozuari për president të ardhshëm të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai ka shtuar se kontributi i presidentit Rugova është i papërshkrueshëm.
“Kontributi i Ibrahim Rugovës është papërshkrues, nuk mundet definohet kontributi i madh. Ai ka filluar fondamentin e shtetit të Kosovës dhe duke i falënderuar punës së tij dhe njerëzve tij, ne sot jemi të pavarur dhe shtet i respektuar nga miqtë e tanë perëndimor”, ka theksuar Pacolli.
Ndryshe sot nderimet presidentit Rugova i ka bërë edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ky është përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës, ndërsa gjatë këtyre 3 vjetëve 75 shtete e kanë njohur Kosovën shtet. Po ashtu gjatë kësaj kohe Kosova është anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore.