E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Pavarësia u përket atyre që e ndërtuan

Nga Express më 17 shkurt 2011 në ora 12:28

Derisa përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës e gjeti qeverinë në dorëheqje të papërgatitur për të mbajtur ndonjë solemnitet rasti, për këtë gjë u përkujdes Komuna e Prishtinës, e cila nën patronatin e kryetarit të saj, Isa Mustafa, organizoi një akademi solemne, me ç’rast kishte zgjedhur këtë ditë për të inauguruar sallën më të re të Kuvendit Komunal.

Mustafa duke uruar të gjithë qytetarët për përvjetorin e tretë të pavarësisë, tha se sakrifica e të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë ditë ishte e shenjtë.

“Jemi të përkushtuar që veprën e quajtur pavarësi, që kjo vepër t’u përket të gjithë atyre që e ndërtuan dhe të gjithë atyre që presin që ta ndryshojnë. Shpresojmë që jo vetëm ky, por edhe përvjetorë të tjera të shënimit të pavarësisë së vendit, do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme, si në realizimin e projekteve, në realizimin e rrolit tonë, po ashtu edhe në forcimin e demokracisë së këtij vendi”, tha Mustafa.

Kurse kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së për Komunën e Prishtinës, Ibrahim Mehmetaj tha se falënderimi i parë për arritjen e Kosovës në ditën që është sot i shkon dëshmorëve të kombit, luftëtarëve të lirisë, familjeve të dëshmorëve, pasi për shkak të tyre Kosova ka obligim të ndërtojë një jetë më të mirë për qytetarët e saj.

“Ne sot si kurrë më parë duhet të përkushtohemi, sepse e kemi obligim zhvillimin dhe ndërtimin e vendit, mirëqenien e qytetarëve, bërjen e jetës më të mirë të qytetarëve, zhvillimin demokratik, në kuptim të plotë, obligime këto që dalin nga amanetet e dëshmorëve tanë”, tha ai.

Ai shtoi se veteranët e luftës së UÇK-së janë të gatshëm që t’i kontribuojnë shtetit më të ri në çdo aspekt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›