Clinton viziton Izraelin

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka arritur sot në Izrael, ku do të bisedojë me zyrtarët e lartë të këtij vendi, përfshirë edhe kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Pritet që në axhendën e takimeve të saj të dominojnë bisedimet paqësore izraelito – palestineze, ndryshimet politike në Egjipt, dhe programi bërthamor i Iranit.
Klinton arriti në Izrael pas qëndrimit dyditor në Egjipt, ku takoi presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi, dhe ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për tranzicionin demokratik në Egjipt.
Ajo është takuar edhe me komandantin e lartë ushtarak, Mohamed Husein Tantavi, dhe ka kërkuar nga ushtria që t’i kthehet më tepër rolit të sigurisë. Klinton ishte edhe në rihapjen e konsullatës amerikane në qytetin-port Aleksandria, ku protestuesit e gjuajtën me domate dhe këpucë.