Clinton:Të rifillohen bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton u bëri thirrje urgjente palestinezëve që të rifillojnë bisedimet për paqe me Izraelin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu si më parë mbështesin dëshirën e palestinezëve për një shtet të tyre, tha Clinton në televizionin egjiptian El Hajat. Por plotësimi i kësaj dëshire nuk mund të bëhet përmes kërkesës palestineze në Kombet e Bashkuara, por përmes dialogut me Izraelin. Njëkohësisht shefja e diplomacisë amerikane paralajmëroi Izraelin që të heqë dorë nga provokimet siç është ndërtimi i ngulimeve të reja në rajonet autonome palestineze. Pak ditë më parë sërish izraeli shpëfilli paralajmërimet e ndërkombëtareve lidhur me ndërtimin e vendbanimeve të reja, që për palestinën është një ndër kushtet kryesore nëse do të ketë bisedime për paqe mes palëve. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu i ka bërë veshët të shurdhët ndaj të gjitha këtyre reagimeve dhe dha mesazhin “se nuk do të ketë hap prapa”. Deklaratat e fundit erdhën nga ministrat e jashtëm të Amerikës dhe Egjiptit, të cilën theksuan se një qëndrim i tillë minon paqen në Lindje të Mesme. Projekti i fundit i udhëheqjes izraelite është ndërtimi i 1.100 banesave të reja në Jerusalemin Lindor. Ky vendim i Izraelit ka ngjallur zhgënjim në një kohë kur shumë vende arabe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin optimizëm për rifillimin e procesit të bisedimeve. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, nënvizoi se ky projekt do të dëmtojë paqen në Lindje të Mesme.