E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çmimi i naftës ndikon në bujqësi, Fermerët: Po falimetojmë

Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar edhe ne fshatra ku fermerët shprehën se gruri ndodhet ende i pakorrur në ara për shkak të çmimit të lartë.

Trishtuese është panorama që sheh në tokat bujqësore që shtrihen përgjatë aksit nacional Poliçan-Skrapar.

Edhe pse jemi në pikun e sezonit të korrjes së grurit, në tokat e fshatit Vodicë në bashkinë e Poliçanit, gruri ndodhet ende i pakorrur në ara për shkak të çmimit të lartë që duhet të paguajnë fermerët për një dylym, e kushtëzuar kjo nga rritja e çmimit të naftës.

Fermerët shprehen se çdo ditë e më shumë po rrënohen e po shkojnë drejt falemetimit, për shkak të mungesës totale të vëmendjes së shtetit për fermerët, të cilët po i detyron të largohen nga ky vend.

“Nuk dimë ça të bëjmë më, jemi të falimentuar, çdo ditë e më shumë po fundosemi dhe po detyrohemi të largohemi nga ky vend. Plehrat kimikë dhe pesticidet janë trefishuar, një dylym korrje gruri ka shkuar 20 mijë lekë (të vjetra) pasi çmimi i naftës është rritur. Shumica e fermerëve e kanë lënë grurin pa korrur dhe vreshtat e pemtarinë nuk po spërkaten sepse fermeri si ble dot më pesticidet me çmimet që kanë arritur. Në këto kushte, për shkak të kostove të larta të prodhimit jemi të detyruar të mos i punojmë më tokat. Fëmijët tanë kanë shkuar prej vitesh në emigrim dhe nuk duan më të kthehen. Në fshat kemi ngelur vetëm ne por edhe ne duam të largohemi“-,shprehen fermerët e fshatit Vodicë në bashkinë e Poliçanit.

Problematike paraqitet situata edhe në pemëtari dhe vreshta, ku fermerët e kanë të pamundur këtë vit të investojnë për t’i bëtë shërbimet e nevojshme këtyre kulturave sepse çmimet e plehrave kimikë dhe pesticideve janë trefishuar.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›