E Diel, 1 Nëntor 2026

Cohen: Vendi i natyrshëm i Shqipërisë është Evropa

Në një intervistë dhënë për “Albanian Daily News”, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, David Cohen komenton marrëdhëniet mes dy vendeve në një çast të rëndësishëm për të dy popujt: Izraeli feston 65- vjetorin e krijimit, ndërkohë që vitin e shkuar, Shqipëria festoi 100-vjetorin e pavarësisë. Ndërsa i referohet historisë së lashtë të dy vendeve, Cohen shprehet se vendi i natyrshëm i Shqipërisë është Evropa.
Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet mes Izraelit e Shqipërisë, kur njëri vend feston 65-vjetorin, ndërsa tjetri vetëm një vit më parë festoi 100-vjetorin?
Marrëdhëniet midis dy popujve tanë shkojnë shumë herët në histori… Ashtu si e kam shprehur edhe të tjera herë, populli hebre i është mirënjohës aktit sublim të kombit shqiptar, që shpëtoi këdo hebre që kërkoi strehë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është akt i një kombi të veçantë, me virtyte të larta dhe personalisht, ashtu si dhe shumë të tjerë në Izrael, po bëjmë shumë për të promovuar Shqipërinë dhe për të sjellë një pjesë të Izraelit të sotëm këtu tek ju, nëpërmjet fakteve historike, kulturore e më gjerë… Jemi dy popuj të vjetër, me shumë ngjashmëri në histori, e prapë dy kombe me shtete relativisht të rinj… Uroj që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvillohen akoma më tepër dhe hapja e ambasadës në Tiranë është shprehje e dëshirës dhe politikës miqësore të Izraelit ndaj Shqipërisë, mbështetjes së qeverisë së vendit tim në demokracinë shqiptare dhe zhvillimet e saj, për të dhënë edhe ne kontributin tonë, sado modest në forcimin e ekonomisë këtu dhe marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe.
Gjatë rrjedhës së historisë raportet miqësore ndaj izraelitëve kanë ekzistuar, pavarësisht regjimeve në Shqipëri. Provë e gjallë e kësaj është përqasja ndaj komunitetit hebraik, që jetonte në Shqipëri deri në fund të viteve ‘90. Mendoni se ka hapësirë për raporte më të ngrohta njerëzore tani mes Izraelit e Shqipërisë, veçanërisht kur vjen fjala te brezat e rinj?
Më ka bërë përshtypje gjithmonë toleranca ndërfetare e shqiptarëve dhe si e thoni dhe ju, kjo është një nga bazat në të cilat qëndroi edhe bashkëjetesa e komunitetit hebre mes popullit shqiptar. Kam kënaqësi të shikoj që të tërë shqiptarët që jetojnë në Izrael janë të integruar në jetën atje dhe mbajnë edhe lidhje të ngushta me njëri-tjetrin dhe me Shqipërinë. Çdo njëri prej tyre është ambasador i vullnetit të mirë dhe virtyteve të popullit shqiptar në Izrael dhe më gjerë. Jam i bindur që ndjehen krenarë për prejardhjen dhe të tashmen e tyre, që natyrshëm ndërthuren mes njëra-tjetrës.
Rinia është e ardhmja dhe për këtë duhet investuar. Në Izrael ne kemi një rini shumë aktive në jetën shoqërore. Qeveria jonë ka një politikë për rininë, e cila siguron përfshirjen e saj në aspektet demokratike të vendit, zhvillimin e edukimit, i cili fillon në kornizën e edukimit formal në shkolla, korniza e lëvizjes rinore, nëpërmjet larmisë së organizatave rinore. Ndaj kemi çfarë eksperience të ndajmë me ju dhe këdo, për të bërë të mundur një bashkëpunim të ngushtë midis brezave të rinj, të cilët janë ata që do marrin në dorë stafetën e së ardhmes. Rinia jonë është shumë aktive në shumë programe rajonale dhe ndërrajonale dhe jam i bindur që rrugët e bashkëpunimit janë dhe duhen eksploruar.
Si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Izraelit në Tiranë, çfarë do t’u thoshit të rinjve në vendin tuaj mbi Shqipërinë, popullin shqiptar, rinë e Ballkanit, aspiratën e tyre për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian?
Rinia e vendit tim duhet të jetë sa më e ekspozuar para fakteve historike që lidhin kombet tona dhe jo vetëm kaq! Në Izrael gjenden të përkthyera librat e Ismail Kadaresë, shkruhen herë pas here artikuj nëpër editoriale të shumtë në hebraisht dhe anglisht. Në aktivitetet e shumta ndërkombëtare kulturore marrin pjesë artistë shqiptarë, etj., duke bërë të mundur njohjen e Shqipërisë, kësaj perle deri tani të fshehur midis maleve të Ballkanit, jo vetëm për të rinjtë, por për tërë shtresat e popullsisë në Izrael. Të rinjve do u këshilloja ta vizitojnë këtë vend, të njihen me historinë e tij, të përjetojnë mikpritjen shqiptare dhe të eksplorojnë mundësitë e shumta që ofron Shqipëria…
Për të arritur diçka nuk duhet vetëm dëshira e mirë. Në radhë të parë duhet motivim dhe vendosmëri për të arritur qëllimin. Aspirata e popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane është sa legjitime aq edhe e natyrshme, për vetë pozicionin gjeopolitik të vendit tuaj. Ndaj e uroj me gjithë zemër që hapat që keni nisur për progresin drejt anëtarësimit në BE t’i vazhdoni me maturi dhe me bindjen se shumë shpejt do arrini destinacionin e duhur… Aspiratën tuaj e dikton edhe koha dhe zhvillimet politike e ekonomike të rajonit, momentet politike dhe shoqërore në të cilat jetojmë.
Të flasim pak për ekonominë, ka ndodhur një zhvillim i ri. Në Shqipëri është hapur së fundmi dhoma izraelite e tregtisë. Çfarë do të sjellë kjo në kuadrin e këmbimeve ekonomike mes dy vendeve?
Vitet e fundit, sipërmarrësit izraelitë kanë treguar interes në ekonominë shqiptare dhe eksplorimin e mundësive të investimeve këtu. Natyrshëm lindi dhe krijimi i kësaj Dhome të Tregtisë, e cila do jetë ura që lidh dy vendet tona në këtë aspekt dhe do shërbejë si pika kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Vizita e ish-ministrit të Jashtëm të Shtetit të Izraelit, zotit Avigdor Lieberman, u shoqërua me organizimin e forumit ekonomik me pjesëmarrjen e biznesmenëve të të dyja vendeve, gjë që tregon se mundësia për investime ekziston dhe duhet të gjenden rrugët për t’i realizuar ato. Shqipëria ofron legjislacion bashkëkohor dhe klimë mirëbesimi për investitorët e huaj. Po ashtu, mundësi të mira në fushën e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, etj. Marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve në disa fusha të ekonomisë janë një ogur i mirë për të ardhmen.
Dy shtetet tona kanë qenë gjithnjë miq e aleatë në përpjekjet për ta bërë botën një vend më të sigurt. Çfarë po bën populli dhe klasa politike izraelite për çështje si paqja e stabiliteti afatgjatë në rajonin tuaj, veçanërisht kur vjen fjala te bashkekzistenca me popullin palestinez? Si e shihni rolin e Shqipërisë në këto zhvillime?
Jemi komb që paqen e kemi lajtmotiv në çdo aspekt të jetës sonë. E kërkojmë dhe nuk do rreshtim së kërkuari deri sa ta arrijmë. Aspirata jonë është të arrijmë një paqe sa më jetëgjatë dhe të qëndrueshme, që të sigurojë bashkëjetesën e dy popujve tanë në harmoni, paqe, prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Klasa politike izraelite dhe populli mbarë e dëshiron zgjidhjen e konfliktit. Ky është dhe mesazhi që i kemi dërguar dhe vazhdojmë t’i dërgojmë udhëheqjes dhe popullit palestinez, partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na mbështesin në këtë qëllim tonin dhe kujtdo tjetër. Jemi të bindur që ku është dëshira dhe vullneti i mirë, nuk ka asgjë të paarritshme. Ndaj kemi detyrimin moral ndaj brezave që vijnë dhe ndaj historisë që të investojmë me të tëra përpjekjet për të arritur këtë qëllim, duke siguruar në radhë të parë sigurinë e shtetit të Izraelit dhe popullit hebre, vazhdimësinë e tij në të ardhmen. Paqja arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe jo veprimeve të njëanshme, të cilat nuk i japin procesit progres, përkundrazi, ndaj dhe mbështetja e Shqipërisë dhe mirëkuptimi i saj në politikën tonë në këtë aspekt janë të mirëpritur dhe të vlerësuar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›