Coli: Jaho Mulosmani, rroba policësh për “Bandën e Durrësit”
TIRANE – I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Adriatik Coli tha dhe tek Krimet e Rënda se Jaho Mulosmani ka “furnizuar” me uniforma policie anëtarët e bandës në vitet 1998-1999. Emri i përfolur i botës së krimit u “nxor në dritë” nga i penduari në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Pasi ka përfunduar dëshminë e tij para togave të zeza disa seanca më parë, dje i penduari Coli ka vijuar t’u përgjigjet pyetjeve të avokatëve të të pandehurve. Mësohet se deri në seancën e djeshme emri i Mulosmanit, i cili është duke vuajtur dënimin me burgim përjetë, për përfshirje në vrasjen e Azem Hajdarit dhe për dy vrasje të tjera në Tropojë, nuk ishte shqiptuar ndonjëherë nga Coli. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura konfirmuan për gazetën se ishte një nga pyetjet e avokatëve ajo që kishte “ngacmuar” Colin, që më pas ka befasuar sërish të pranishmit. “Një familjar i Jaho Mulosmanit na ka sjellë në Durrës një çantë me uniforma policie. ‘Porosinë’ e prita unë”, mësohet të jetë shprehur i penduari Coli në seancën e djeshme, duke folur për periudhën kur Mulosmani gëzonte detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Tropojë. Më tej, Coli ka pohuar se kontaktin me Mulosmanin e kishte mundësuar i akuzuari si kreu i “bandës” Lulzim Berisha dhe se uniformat e policisë do të përdoreshin në episodet kriminale të anëtarëve të bandës. Pas kësaj “surprize” të Colit, palët në proces janë përfshirë në debate të ashpra, çka ka çuar më pas edhe ndërprerjen e seancës. Seanca e djeshme ishte e disata, ku i penduari Coli përmend emra të njohur të botës së krimit, emra të cilët nuk i ka përmendur më parë në deklarimet e tij në prokurori, apo para gjykatës. ar.ba