E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëhijet e ligjit Antimafia

Henrik Ligori 

E kam ndjekur me shumë vëmendje debatin lidhur me projektligjin për konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale, i njohur si ligji Antimafia. Bashkohem pa mëdyshje me shqetësimin e ligjshëm të shprehur sidomos nga grupet e interesit (avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë) për disa aspekte tejet të diskutueshme të tij. Nuk kam dashur të shkruaj për këtë temë sepse zhgënjimi që vërejtjet thelbësore të Prokurorisë nuk u pasqyruan në tekstin e projektit, ndikuan që këtë problem ta quaja një punë tashmë të mbaruar. Andaj, literaturën dhe shënimet e nxjerra nga dita kur Kryeministri më përfshiu në grupin e parë të punës për këtë projekt, i dhashë karar t’i rrasja në një dosje me kapak të trashë. Mu desh t’i riçelja kur mësova që një deputet i shumicës pati ngjyer penën, jo për të dhënë argumente, por për të qesëndisur prokurorët, të cilët në vend të gëzoheshin për këtë armë të fuqishme që po u jep qeveria për të luftuar krimin e organizuar, sipas tij, qenkëshin mërzitur shumë (Eduard Halimi, Ligji Antimafia dhe nevoja për të inkurajuar Prokurorinë, “Panorama”, 21 nëntor 2009).
Shqetësimi i specialistëve të fushës për këtë projektligj është tërësisht i ligjshëm, edhe pse nuk pajtohem me të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre. Nisma e ndërmarrë nga qeveria për të ndryshuar ligjin në fjalë, pas problematikës që krijoi Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë, gjykoj se është e drejtë dhe kryekreje legjitime. Duhet thënë, gjithashtu, që kjo nismë shkon në drejtim të proceseve integruese të vendit, ngaqë i mban parasysh orientimet e fundit të Komisionit Evropian për shtetet anëtare që të zbatojnë në të drejtën e brendshme të ashtuquajturat “forma të konfiskimit të zgjeruar”. Pra, në këtë drejtim, duhet pranuar se jemi në rrugën e mbarë. Problemi qëndron gjetiu, ndaj kuturisa që të argumentoj mendimin se ekspertët kanë propozuar një ligj që lë shumë për të dëshiruar.
Modeli i zgjedhur dhe garancitë që ai ofron
Projekti ngërthen probleme në drejtim të garancive që ofron modeli i zgjedhur. Më rezulton se është zgjedhur një sistem i përzier të cilit i janë bashkëngjitur elementë të prototipit që vepron vetëm në disa vende të Komonuelthit (Angli, Skoci, Irlandë, Australi). Këto janë edhe pjesët më të kundërshtuara të projektit, pikërisht sepse nuk janë parashikuar klauzola që të garantojnë interesat e individit. Është momenti që të shpjegojmë për lexuesin thelbin e shtesave të propozuara nga ky projektligj. Duhet të kuptohet që procedimi i konfiskimit është krejt autonom nga ndjekja penale dhe mbështetet në një lloj fiksioni juridik, sipas të cilit është “fajtore” pasuria, pavarësisht nga fakti nëse është deklaruar apo jo fajtor pronari i saj. Nisur nga argumenti se goditet pasuria dhe jo personi, në procedimin pasuror nuk zbatohen shumë prej garancive që procedura penale dhe Kushtetuta i njohin të akuzuarit (prezumimi i pafajësisë, barra e provës mbi akuzën, mospranimi i dëshmisë për fakte të dëgjuara, mosgjykimi dy herë për të njëjtin fakt, etj). Ai zhvillohet sipas rregullave të procedurës civile, tipike për civil recovery (ligji anglez POCA 2002). Shkurt, ligje të kësaj natyre janë një shmangie nga parimet klasike të së drejtës penale, ndaj për t’u zbatuar drejt kërkojnë garanci të forta.
Pyetja shtrohet: kush e jep garancinë se ligji do të interpretohet dhe zbatohet drejt dhe se para tij të gjithë shqiptarët do të ndjehen dhe do të jenë realisht të barabartë? Këtë siguri, sipas zotit Halimi, na i jep politika (?!) dhe të gjithë aktorët veprues të fushës. Ky është një argument shumë i mirë për t’u kumtuar nga foltore mitingjesh; për fat të mirë ai nuk i bind dot njerëzit që duan ta lexojnë ligjin në aspektin thjesht teknik. Deri në ç’masë do të sekuestrohen pasuritë kur dyshimet janë për kryerje krimesh të ndryshme, jo të së njëjtës rëndësi? Si zgjidhet rasti kur pasuri të vëna në mënyrë të ligjshme janë përzier me “pasuri të ndotura”? Si e siguron ky ligj “raportin përpjesëtimor midis masës së pasurisë së sekuestruar dhe qëllimit të ligjshëm të ndjekur”, rast pas rasti, siç na orienton Gjykata e Strasburgut (çështja Riela kundër Italisë, 4 shtator 2001)? Me keqardhje më duhet të pohoj se këto garanci që duhet të na i jepte teksti i ligjit, të shkruara qartë e zeza mbi të bardhë, mungojnë plotësisht.
Më duhet të theksoj edhe një aspekt të garancive që lidhet me traditën, ndërveprimin harmonik të ligjeve dhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Anglia është vendi i një tradite të shkëlqyer garantiste. Plot tetë shekuj më parë, mbreti nënshkroi Kartën e Madhe të Lirive (1215) që e konsideronte konfiskimin e pasurisë si ndëshkim të padrejtë, të pazakontë dhe të tepruar. Tek ne tradita të tilla mungojnë. Në Angli vepron një sistem juridik krejt i ndryshëm nga e drejta jonë kontinentale. Ja pra pse duhet parë me kujdes a krijon përplasje ligji në fjalë më korpusin e ligjeve që veprojnë në Shqipëri. Duhet theksuar, gjithashtu, se në vendet e Komonuelthit britanik funksionojnë institucione të shëndetshme gjyqësore dhe ligjet interpretohen nga gjyqtarë shumë të zotë e me virtyte të larta. Ne ende nuk i kemi garanci të tilla, edhe pse më vjen shumë keq që më duhet ta pohoj këtë.
Pra, parë edhe në këndvështrimet e mësipërme, ligji i propozuar vuan sidomos nga mungesa e garancive për individin. Në një shoqëri që e respekton lirinë, pronën dhe dinjitetin njerëzor, kënaqja e interesave të shtetit për të luftuar krimin duhet të drejtpeshohet me interesin e shoqërisë për të mbrojtur të drejtat e individit. Këto garanci ligji duhet t’i parashikonte detyrimisht në mënyrë të shprehur, pa ia besuar ato interpretimit të organeve ligjzbatuese.
Zgjerimi i fushës së zbatimit dhe probleme të kushtetutshmërisë
Ligjet për sekuestrimin e pasurive të vëna prej krimit, në origjinën e tyre kanë pasur dy qëllime kryesore: dobësimin e fuqisë ekonomike të organizatave kriminale dhe pengimin e infiltrimit kriminal në ekonominë e ligjshme. Ndaj shtetet pioniere në miratimin e ligjeve të tilla janë Italia dhe SHBA-të, ku dukuria e kriminalitetit mafioz, në vitet ’50-‘60 kishte arritur në nivelet e një rrezikshmërie shoqërore alarmante. Por, lidhja e krimit të organizuar me botën e financës dhe të politikës, vazhdon të jetë edhe sot një shqetësim i dorës së parë, për shkak të ndikimit që ai synon të ushtrojë në administrimin e pushtetit publik, por edhe në formimin e konsensusit politik. Është kjo arsyeja që strategjitë moderne të luftës ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe pastrimit të parave të pista, në nivel evropian e ndërkombëtar, po mbështeten gjithmonë e më shumë tek zbatimi i masave që godasin pasurinë kriminale. Por, vetëm për vepra penale të një rëndësie të posaçme, jo për të gjithë veprat, apo edhe në mungesë të tyre, siç normon projektligji ynë.
Pra, ky projektligj i shmanget qëllimit parak të ligjeve të kësaj natyre teksa e zgjeron, në mënyrë të paarsyeshme, tipologjinë e krimeve për të cilët lejohet të procedohet me konfiskimin e pasurisë (neni 3/1, d). Duket fare pa kuptim që të procedohet në këtë mënyrë, bie fjala, në rastet e krimeve të korrupsionit aktiv. Kështu, kur dikush dyshohet se ka dhënë ryshfet për të mbaruar një punë, ai rrezikon që t’i konfiskohet pasuria, nëse nuk do të jetë në gjendje të vërtetojë origjinën e saj të ligjshme. Ky rregull mund të ketë kuptim për zyrtarin që përfiton nga korrupsioni, jo për individin që bie viktimë e kësaj dukurie. Absurdi arrin kulmin me formulimin e shkronjës “dh” të këtij neni, i cili synon që fusha e zbatimit të ligjit të zgjerohet, jo vetëm për çdo lloj vepre penale që prezumohet e kryer, por edhe sikur të mos jetë identifikuar ndonjë vepër konkrete, mjaft që të ketë dyshime për “standard të pajustifikuar jetese”(?!). Një nocion i tillë që i hap rrugën hetimit të gjithë shoqërisë është i pashembullt dhe nuk gjen referencë në ndonjë nga ligjet e huaja të kësaj fushe. Ky është ndoshta aspekti më shqetësues i projektligjit. Është pak të thuhet se kjo zgjedhje është tejet e rrezikshme për demokracinë.
Bie në sy edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm që lidhet me probleme të kushtetutshmërisë. Ligji parashikon që kompetente për shqyrtimin e kërkesave do të jetë gjykata për krime të rënda. Kompetencën e kësaj gjykate në lëndë e përcakton Kodi i Procedurës, pra, një ligj që është miratuar me shumicë të cilësuar. Fushën e zbatimit të këtij ligji, siç e cekëm më sipër, ligjvënësit duan ta zgjerojnë edhe për vepra që nuk janë në kompetencën e kësaj gjykate. Çudia është se kjo synohet të bëhet me një ligj të zakonshëm. Këtu pakushtetutshmëria është evidente, sepse ligjet për të cilat Kushtetuta sanksionon detyrueshmërinë e miratimit me 3/5, nuk mundet kurrsesi të ndryshohen apo të plotësohen duke i votuar me shumicë të thjeshtë.
Ligji dhe perspektiva e bashkëpunimit ndërkombëtar
Vlera e këtij ligji do të jetë e kufizuar në rast se standardi i tij nuk siguron mundësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Po e shpjegoj më shkoqur. Është e arsyeshme të besohet që fillimi i zbatimit të ligjit, mund të shoqërohet me dukurinë e transferimit të kapitaleve jashtë vendit. Këtë me siguri do ta bëjnë individët që e shohin veten të kërcënuar nga zbatimi i tij dhe që besojnë, mbase edhe gabimisht, se mund të përndiqen në mënyrë selektive. Është afër mendjes që vendi nuk do të ketë asnjë të mirë nga kjo dukuri. Këto kapitale duhet të rikuperohen dhe të përdoren në interes të publikut, por kjo nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar. Për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të vëna nga krimi, ky bashkëpunim rregullohet nga Konventa e posaçme e nënshkruar në Strasburg më 8 nëntor 1990. Guri i qoshes së kësaj Konvente është respektimi i parimit të njohjes së ndërsjellë të vendimeve gjyqësore për konfiskimin, të dhëna nga shtetet palë. Ndaj,  nuk do të jetë e largët dita kur vendimet tona do të këqyren me lupën e gjyqtarëve evropianë. Ata do të kërkojnë garanci të forta dhe vështirë se mund të njohin vendime që vënë dorë mbi pasurinë e personit, kur të vërejnë se ligji i zbatuar nuk i plotëson siç duhet standardet evropiane. Problemeve të ligjit mund t’iu shtohet cilësia, shpeshherë e munguar, e vendimeve të gjykatave shqiptare. Kështu që nuk do të jetë çudi që njohja e vendimeve tona të refuzohet dhe ligji që pritet të miratohet të mos i shtrijë dot efektet jashtë territorit të Republikës. Kjo është një arsye shtesë që ky ligj nuk duhet të miratohet shpejt e shpejt. Përkundrazi, para miratimit ai duhet të diskutohet në detaje me shumë seriozitet.
* * *
E shoh të udhës të përmend edhe një argument që do të dëshiroja t’i shmangesha. Më detyron t’i qasem rëndësia e tij. Thamë që ligjet e veprimit mbi pasurinë largohen nga parimet bazë të së drejtës penale dhe nuk i mbajnë parasysh disa prej garancive thelbësore kushtetuese, pos faktit që prekin interesa të qenësishme vetjake. Është kjo arsyeja që ato kërkojnë një konsensus shoqëror sa më gjerë dhe një klimë politike, që lejon të gjykohet me mendjen esëll. Është fakt që këtë konsensus dhe këtë klimë ende nuk e kemi; gjykoj se ky do të jetë një element shtesë me ndikim negativ në zbatimin e këtij ligji.
Këto janë argumentet kryesore, por jo të vetmet, që më çojnë në përfundimin se ligji i quajtur Antimafia nuk është një ligj i mirë; përkundrazi, është një ligj i keq, zbatimi i të cilit druaj se do të krijojë shumë pikëpyetje dhe pasiguri. Përkundër këtij konstatimi, më habit siguria e ligjbërësve që po mburren se kanë shkruar një ligj të standardeve evropiane. Nuk duhet të harrojmë se hartimin e ligjeve kaq delikate nuk e ndihmon siguria, por modestia skeptike dhe droja se vallë kemi gjetur modelin më të mirë. Do të ishte e udhës të kujtonim këtu mësimin që na jep njëri prej korifenjve të mendimit evropian, Fridrih Niçja: “Armikja më e madhe e së vërtetës nuk është gënjeshtra, por siguria.”

*Zv-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›