E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre ish-ministra thirren dëshmitarë te “Gërdeci”

 

Armand Bajrami

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe dy ish-ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj, do të thirren si dëshmitarë në procesin “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës vendosën dje të pranojnë kërkesën e avokatëve për thirrjen para gjykatës të të gjithë dëshmitarëve të kërkuar nga organi i akuzës, si edhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtësit e të pandehurve. Vendimi i treshes gjykuese të dosjes me 29 të pandehur në gjykatën e kryeqytetit ligjëroi thirrjen përpara togave të zeza të tre ish-ministrave. Në seancën e djeshme, gjykata u shpreh me kërkesat e bëra nga palët në proces në fazën e parashtrimeve paraprake dhe të kërkesave të tyre për prova. Po dje, prokuroria radhiti para togave të zeza dymbëdhjetë emrat e parë të dëshmitarëve që do të sillën në gjykatë për të dhënë shpjegime të tyre në lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec.
DESHMITARET
Thirrja e ish anëtarëve të kabinetit qeveritar, Aldo Bumçi e Enlekejd Alibeaj, si edhe të ish-ministrit të Mbrojtes, aktualisht Ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, si dëshmitarë në procesin me 29 të pandehur, u vendos në seancën e djeshme të gjykimit të dosjes “Gërdeci”. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado lexoi vendimin e ndërmjetëm që pranonte pyetjen para gjykatës të 491 personave të kërkuar nga organi i akuzës, si edhe emrat e kërkuar nga mbrojtësit. Për rrjedhojë, ish-ministrat do të jenë në “radhën” e personave që do të pyeten përpara gjykatës. Kërkesa për thirrjen si dëshmitar të Mediut në funksionin e ish-ministrit të Mbrojtjes, të Bumçit si ish-ministër i Drejtësisë dhe të Alibeajt si ish-drejtor i antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave, u bë nga i pandehuri Ndue Marku dy seanca më parë. Sipas vendimit të djeshëm, gjykata refuzoi vetëm thirrjen e personave të paidentifikuar, apo ata për të cilët nuk zotërohen adresa të sakta. Ndërkohë gjykata refuzoi dje kërkesat e mbrojtësve për kryerjen e riekspertimeve tekniko-ushtarake apo ekonomiko-financiare. Në vijim të seancës, prokuroria “serviri” dje dymbëdhjetë emrat e parë që do të thirren në seancën e radhës përpara gjykatës. “Kërkojmë thirrjen para gjykatës të dëshmitarëve: Zamira Durda, Mimoza Kurja, Feruzan Durda, Qemal Mema, Viktor (Ndue) Nikolli, Shefki Seka, Petrit Behari, Shaban Brahushi, Vasil Laçi, Arta Primi, Mustafa Laçi dhe Shkëlqim Primi”, tha dje një nga përfaqësuesit e prokurorisë. Emri i parë i lexuar nga prokurori ishte emri i Zamira Durdës, që në tragjedinë e Gërdecit ka humbur djalin e saj të mitur. Dëshmitarët e tjerë ishin po ashtu banorë të Gërdecit, të cilët do të japin sqarime mbi shpërthimin që u shkaktoi dëme njerëzore dhe materiale. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›