“Gaxhai” dënohet përjetë për herë të dytë
TIRANE – Gjykata gjen fajtor për vrasjen e një sërë veprash të tjera të rënda kriminale dhe dënon me burg përjetë Gazmir Brakën, të njohur edhe si Gaxhai. Fajtorë u shpallën edhe katër anëtarë të tjerë të bandës, që sipas prokurorisë drejtohej prej tij, të cilët u dënuan me nga çerek shekulli burg secili. Banda e cilësuar nga prokuroria si “një nga format më të ashpra të shfaqjes së kriminalitetit në shoqërinë tonë” Gazmir Braka (Gaxhai), Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu morën dje verdiktin përfundimtar të Gjykatës për Krimet e Rënda. Ndonëse në vendimin e saj gjykata deklaroi edhe pafajësi për të pandehurit, për disa nga episodet kriminale për të cilat akuzoheshin, ata nuk mundën t’i shpëtojnë dënimeve maksimale, të cilat duhet t’i kryejnë në një burg të sigurisë së lartë.
Kryesuesi i seancës lexoi dje vetëm dispozitivin e vendimit që la përjetësish në burg “Gaxhain” e Vlorës. Sipas vendimit të togave të zeza të Krimeve të Rënda, Gazmend Braka u shpall fajtor për akuzën e “vrasjes me paramendim” ndaj Sadik Kurtit, Avdul Bajramit dhe Zyni Harunit, për akuzën e “krijimit, organizimit dhe drejtimi të organizatës së armatosur” si edhe për akuzën e “grabitjes me dhunë”. Gjykata e deklaroi atë të pafajshëm për vrasjen e Robert Myftarit, për grabitjen me dhunë të Artur Pashait dhe vlerësoi pushimin e çështjes për akuzën e “vrasjes” ndaj policit Viron Rrapaj. Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi për të përfundimisht dënimin me burgim të përjetshëm. Ky është i dyti dënim maksimal për Brakën, pasi ai ishte duke e vuajtur një dënim të tillë. Referuar episodeve kriminale, të cilat ishin provuar nga prokuroria, gjykata vendosi dje dënimin përfundimisht me nga 25 vjet burg për të pandehurit Sulejmani, Sinemati, Leskaj dhe Nebiu.
Pas më se dy vjetësh zvarritjesh të njëpasnjëshme të seancave gjyqësore, Gjykata për Krimet e Rënda nisi shqyrtimin e dosjes në ngarkim të Gaxhait dhe ‘bandës’ së drejtuar prej tij në muajin mars të këtij viti. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit në këtë proces akuzoheshin për vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj dhe vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj, të gjitha këto ngjarje të ndodhura në vitin 1997. Sipas organit të akuzës, banda e armatosur u krijua nga Gazmir Braka dhe ajo u bë më e konsoliduar pas një konflikti me bandën tjetër të vitit 1997 në Vlorë, atë të drejtuar nga Zani (Myrteza Caushi). Po sipas prokurorisë, “bazë” e bandës ishte fshati Cerkovinë i Vlorës dhe se aktiviteti i saj kriminal është kryer po aty edhe në zonat përreth. ar.ba
Të dënuarit
Gazmir Braka burg përjetë
Armando Sulejmani 25 vjet burg
Sokol Sinemati 25 vjet burg
Edmond Leskaj 25 vjet burg
Gazmend Nebiu 25 vjet burg