E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli: Me Gashin dhe të tjerët vramë Tan Dishën

I penduari i bandës së Durrësit, dëshmon procesin e "anëtarit" të Bandës, Bujar Gashi, që gjykohet veçmas ish- shokëve të tij


Sipas rrëfimit të djeshëm, Disha është vrarë në shenjë hakmarrjeje pas vrasjes së një kushëriri të Lul Berishës në vitin 2000


TIRANË- I penduari i "bandës" së Durrësit, Adriatik Coli, nuk rresht së rrëfyeri për krimet e kryera nga dora e tij dhe pjesëtarët e tjerë të "bandës", pjesë e së cilës ishte edhe vetë para se të dorëzohej në polici në fillim të muajt shkurt 2006.


Pasditen e djeshme, me kërkesë të organit të akuzës, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda dëgjuan dëshminë e të penduarit Coli, me cilësinë e dëshmitarit të akuzës në procesin gjyqësor ndaj pjesëtarit tjetër të "bandës" së Durrësit, të pandehurit Bujar Gashi, i cili prej disa muajsh po gjykohet veçmas nga 15 të pandehurit e tjerë të kësaj "bande". Coli u thirr për të dëshmuar për njohjet me të akuzuarin tjetër Gashi, si dhe për vrasjen e Dritan Dishës e veprime të tjera.


Dëshmia


"Me Bujar Gashin jam njohur në varrimin e Mehmet Saliut, i cili ishte fis i largët i Lulëzim Berishës dhe kushëri i parë i Bujar Gashit. Aty mësuam nga çunat se Metin e kishte vrarë Erjon Lame që kohët e fundit shoqërohej me Tan Dishën dhe ca çuna pronarë lokalesh në Durrës, të cilët kishin lidhje me Marsel Sotirin.


Kjo vrasje ka ndodhur në muajin korrik të vitit 2000 po në Durrës. Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Indrit Taullai vendosën ta vrisnin Tan Dishën meqë shoqërohej me ata që thashë më lart dhe këtë detyrë ma ngarkuan mua me Endrit Doklen.


Klodi më thirri një javë pas vrasjes së Mehmet Salihut, ku aty ishte Indrit Taullai, Endrit Dokle, Plarenti, Klodi dhe Bujar Gashi. Klodi i tha një personi që e thërrisnin "Çupe" që kishte një furgon dhe punonte si taksist në linjën Spitallë - Durrës, që do na merrte neve dhe të na dërgonte deri në Shënavlash dhe ai pranoi.


Unë bashkë me Doklen morëm nga një kallash tek shtëpia e Klodit dhe u nisëm, unë, Dokle, Taullai dhe Gashi si dhe shoferi "Çupja", që i pa armët. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia e Mehmet Saliut, ku pritëm bashkë me "Çupjen" sa u errësua pak.


Bujari kishte lënë një djalë që nuk e di se kush ishte, për ta ruajtur tek lagjja Tan Dishën, kur do të dilte Tani për në Durrës. Dolëm me makinën e "Çupjes" dhe zbritëm poshtë ku shoferi iku. Unë me Doklen dolëm dhe zumë pritën rreth 300- 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Taullaj dhe Gashi shkuan 500 metra para nesh, që kur të kalonte Tani të na lajmërojnte me një të shtënë pistolete.


Dua të them se Bujari e njihte edhe Tanin edhe makinën me të cilën lëvizte ai, që ishte një BMW ngjyrë jeshile.
Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta aty, në të dy anët e rrugës afër një gardhi ku kishte parkim makinash në krahun e kënetës, dëgjuam të shtënën e pistoletës që na sinjalizonte për ardhjen e Tani Dishës.


Dokle doli në rrugë ndërsa unë isha pak para tij, në anën tjetër të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe fillova të qëlloj me automatik në drejtim të makinës deri sa mbarova karikatorin e kallashit.


Pasi mbarova unë filloi të qëllonte Dokle dhe unë ndërrova karikatorin kur në atë moment makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë iu afrova me karikatorin e ri rreth 1- 2 metra dhe e qëllova përsëri Tanin me breshëri.


Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh që kalon aty afër. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Taullajn. Ata më pyetën, "vdiq?, Unë i thash: "po po" dhe u shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë Luli ishte në burg në Itali, ndërsa unë me Bujar Gashin filluam të rrinim me Klodian Saliun..."- dëshmoi ndër të tjera Coli para gjykatës, duke ndërprerë rrëfimin për të vazhduar javën tjetër.


Edhe Dëshmia e Colit kundër Gashit me dyer të mbyllura


Në orën 14:20 minuta kryesuesja e trupit gjykues, Ilirjana Olldashi, urdhëroi ftuesin e Gjykatës të thërrasë në sallën e gjyqit dëshmitarin e mbrojtur nga drejtësia të pandehurin Adriatik Coli. Në këtë kohë avokati mbrojtës i të pandehurit Gashi i parashtroi gjykatës kërkesën për largimin e mediave nga salla e gjyqit.


Kjo kërkesë u mbështet edhe nga prokurori i çështjes, i cili i kujtoi togave të zeza, se po në të njëjtën gjykatë po zhvillohej një proces tjetër penal me dyer të mbyllura, ndaj 15 bashkë të pandehurve të Gashit.


Kjo kërkesë u pranua nga gjykata, e cila urdhëroi largimin nga salla të publikut, ndërsa më pas në sallën e gjyqit, mbërriti i pandehuri Coli, në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces penal. Me tu boshatisur salla e gjyqit nga publiku dhe mediat, i penduari Coli i veshur me pantallona blu xhins dhe një bluzë të kuqe shoqëruar nga dy efektivë të forcave speciale, u fut në sallën e gjyqit. Aty rrëfeu njohjen e tij me të pandehurin Gashi si dhe organizimin që solli më pas vrasjen e shtetasit Dritan Disha në korrik të vitit 2000.


Sipas burimeve nga gjykata, dëshmia e tij zgjati më shumë se dy orë dhe u ndërpre nga kryesuesja e togave të zeza, e cila vendosi të ndërpresë marrjen në pyetje të dëshmitarit Adriatik Colit për shkak se ora kishte kaluar orarin zyrtar 16:00 të pasdites. Gjyqtarja urdhëroi shtyrjen e procesit për seancën e radhës që do të mbahet të martën e ardhshme në ora 14:00.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›