E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej për vrasje, arrestohet nga RENEA pas dy orësh rrethim



Policia e Tiranës vuri në pranga një 37-vjeçar, i cili ishte dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje. Nga agjentët dhe forcat RENEA u arrestua Besnik Visha, pas një operacioni që zgjati disa orë. I kërkuari Visha u ndalua pas negociatave me RENEA-n në fshatin Zgur, afër Tiranës. Për të kapur 37-vjeçarin ishin organizuar disa operacione nga policia, por ai kishte arritur që t’iu shpëtonte prangave. I ndaluari akuzohet se në datën 10 prill të vitit 1997 ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Refik Domi, ngjarje kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Visha është dënuar me vendim të datës 29.06.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 12 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje” dhe të “armëmbajtjes pa leje”.

Arrestimi

Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, se në fshatin Zgur të Komunës Zall Bastar fshihej 37-vjeçari Besnik Visha, i dënuar për vrasje, menjëherë u organizua operacioni “Darka jashtë” për ndalimin e tij, ku në vendngjarje shkuan efektivat e komisariatit numër 5 dhe forcat RENEA. U krye rrethimi i banesës në të cilën fshihej i kërkuari. Sipas burimeve nga policia, kur Visha ka dalluar se ishte i rrethuar, është mbyllur me shpejtësi brenda në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij. Aty, ai ka kërcënuar me një granatë në dorë, se do ta hidhte atë, nëse policia nuk largohej. 37-vjeçari ka qenë i rrethuar mbi dy orë. Megjithatë, ai u dorëzua, pasi u bind nga negociuesit e RENEA-s.

Në momentin e arrestimit, 37-vjeçarit iu gjendën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një krehër me fishekë.

Sipas burimeve nga policia, Visha është ndjekur me masa kërkimi që nga viti 2001 dhe për kapjen e tij janë organizuar shumë operacione policore, të cilat kanë dështuar për shkak të terrenit të vështirë. Kjo, pasi ky shtetas ka lëvizur i armatosur në fshatra të ndryshme të Komunës Zall Bastar, duke rënduar situatën e rendit në këtë Komunë. 37-vjeçari u shoqërua në qeli për të nisur vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›