Spahiu: Bandat diktojnë proceset gjyqësore
KLD
Kërkohet ashpërsimi i veprimeve të gjyqtarëve dhe priten propozime për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale
Nënkretari i KLD-së, akuzoi dje se të pandehurit për krime të ndryshme po orientojnë gjyqet për të cilat akuzohen
TIRANË- "Bandat kriminale nuk mund të diktojnë proceset penale". Kjo ka qenë deklarata e ashpër e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë konferencës së djeshme me krerët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe ato të Apelit në vend.
Spahiu në fjalën e tij para krerëve të gjyqësorit, deklaroi se një drejtësi e vonuar është në fakt një drejtësi e munguar, duke u përqendruar kështu në zvarritjen pa fund të proceseve gjyqësore që kohët e fundit janë bërë objekt debatesh në zyrat e institucioneve të larta gjyqësore.
"Drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar. Ka ardhur koha që të zbatohet ky parim. Nëse një çështje zgjat 10 vjet, ajo nuk ka vlerë. Ndërsa një çështje e shpejtuar bën që të vlerësohet më mirë puna e policisë gjyqësore dhe gjykatave në tërësi,- tha nënkryetari i KLD-së, duke u shprehur se faji duhet kërkuar tek gjyqtarët ose të ligji.
"Këtu fajtorët janë dy, ose gjyqtari ose ligji. Shpesh gjyqtarët nuk kanë kurajën, iniciativën, vullnetin, dëshirën për të përfunduar një çështje.
Bandat kriminale, të cilat akuzohen për shume vrasje apo vepra penale me rrezikshmëri të lartë, nuk mund të diktojnë punën e gjykatës",- theksoi zv/kryetari i KLD-së Spahiu. Sipas tij, përgjegjësia për zvarritjen proceseve gjyqësor bie mbi gjyqtarët, por shpeshherë edhe për shkak të procedurave ligjore.
Spahiu ka vënë në dukje para krerëve të Gjykatave të Rretheve dhe atyre të Apelit faktin e problematikave që ndeshen ende në proceset gjyqësore, por që për të cilat ata kanë detyrën e paraqitjes së propozimeve në mënyrë që të ndryshohen.
"Jemi informuar për problematikat që kanë ngritur gjyqtarët, si ajo e mungesës së të pandehurve në proces për shembull, por ne duhet të kemi aftësinë që të dalim me propozime konkrete për amendime të ndryshme"- ka nënvizuar nënkryetari i KLD-së Spahiu.
Ndërkaq, diskutimi apelues dhe kritik i zv\kryetarit ka pasur si pika kryesore të tij edhe atë të problematikës së kriminalitetit të shtuar në vend, i cili shoqërohet në këtë mënyrë edhe me rritjen e përgjegjësisë dhe punës së gjyqtarëve, por edhe atë të rëndësisë së raportimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Pikërisht për këtë arsye Spahiu ka kërkuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa ka vënë theksin në një bashkëpunim më të fortë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë.
Reagimi i Spahiut ka ardhur pas debateve të shkaktuara javët e fundit, pas zvarritjes pa fund të disa proceseve penale të bujshme në vend, ndër të cilat ka rënë në sy ajo procesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit. Në këtë proces prej kohësh gjykata nuk po arrin të administrojë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli pasi procesi në mënyrë të herëpashershme është shtyrë për arsye të ndryshme.
Riorganizimi i gjyqësorit
KLD-ja, thotë se ka vendosur të unifikojë politikën e lëvizjes së gjykatësve
Priten transferime gjyqtarësh nga një gjykatë në tjetrën
Gjatë mbledhjes së djeshme të krerëve të gjykatave në vend, me nënkryetarin e KLD-së Spahiu ka qenë edhe diskutimi i dekretit të Presidentit të Republikës për riorganizimin e sistemit gjyqësor.
Numri 2, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, paralajmëroi një lëvizje masive të gjykatësve nga njëri qytet në tjetrin në emër të riorganizimit të gjyqësorit, pasi sipas tij, ka gjykatës që kanë vite të tëra në qytete të vogla ku familjarizimi me komunitetin është i pashmangshëm dhe për pasojë edhe njëanshmëria profesionale është evidente.
"Diskutimet e këtij takimi u kanalizuan në tre çështje kryesore: rregullat mbi riorganizimin e sistemit gjyqësor, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së numrit të ri për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit; problematikat në çështjet gjyqësore penale me kriminalitet të lartë; si dhe rëndësia e raportimit në KLD-së nga kryetarët e gjykatave të rasteve të shkeljes së etikës dhe disiplinës në punë nga gjyqtarë",-thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit pranë KLD-së menjëherë pas mbledhjes me krerët e gjykatave në vend.
Mësohet se në mbledhjen e djeshme është vlerësuar me rëndësi të madhe Dekreti i Presidentit për "riorganizimin e gjyqësorit", pasi sipas tyre jo vetëm që zgjidh përfundimisht problematikat shumëvjeçare të ngarkesave të disa gjykatave që nuk arrijnë të përballojnë në kohë gjykime të dosjeve, por i jep fund edhe delegimeve të panumërta të gjyqtarëve.
"KLD-ja, ka vendosur të unifikojë politikën e lëvizjeve që krijon në sistemin gjyqësor nga ky riorganizim, duke përcaktuar metodën konkrete të lëvizjeve, sipas të cilës transferimi i gjyqtarëve në gjykata të të njëjtit nivel do të bëhet pa pëlqimin e tyre.
Kjo përjashton procedurat e kandidimit të gjyqtarëve nëpër vendet e shpallura si vakante, dhe ka qëllim të evitojë preferencat e gjyqtarëve në disa gjykata kryesore të vendit si Tiranë dhe Durrës në raport me disa të tjera si ajo e Përmetit, në të cilën gjithashtu për qëllime të organizimit të drejtësisë, duhet të ketë lëvizje të gjyqtarëve.
Në diskutimin e kritereve konkrete që do të ndiqen, u mbajt parasysh raporti i drejtë midis plotësimit të nevojave jo vetëm të gjyqtarëve për promovim apo transferim, me nevojat e gjykatave"-thuhet në njoftimin e dhënë për media nga zyra e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.