E Shtunë, 31 Tetor 2026

Collin Morgan: “Elviri do ta shokojë Tarverin! Kush e ka radhën?”

Amerikani Collin Morgan, trajneri i boksierit shqiptar të kategorisë gjysmë të rëndë, Elvir Muriqi, ka dhënë opinionin e tij para përballjes që boksieri i tij do ta zhvillojë më 9 qershor kundër ish-kampionit të botës Antonio Tarver. Morgan, një trajner që ka stërvitur mjaft boksierë, ka ironizuar mediat amerikane që gjatë gjithë kësaj kohe e kanë konsideruar shqiptarin Muriqi si autsajder përballë 38-vjecarit Tarver. "Për ata gazetarë skeptikë që po shkruajnë se ky është një duel i humbur, u them se duhet të zgjohen. Unë kam punuar me disa nga më të mirët në këtë sport dhe Elviri është një nga boksierët e mi më të mirë. Më 9 qershor në titujt e parë të gazetave do të lexoni ‘Elviri shokoi Tarverin! Kush e ka radhën?". Collin Morgan ka qenë trajner i disa boksierëve të mëdhenj të ringut profesionist amerikan, ndër ta edhe i ish-kampionit të botës Wayne Braithwaite, Andrew Lewis, si dhe rusin Sultan Ibragimov, i cili më 2 qershor do të përballet me amerikanin Shannon Briggs për titullin e kampionit të botës në versionin WBO. Ndërkohë, mediat amerikane kanë njoftuar se të enjten Muriqi është takuar me një përfaqësues të qeverisë shqiptare, i cili e ka përkrahur 27-vjecarin nga Peja në kërkim të realizimit të ëndrrës së tij për fitimin e titullit kampion bote.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›