E Diel, 1 Nëntor 2026

Cooper: Nuk do të ndërmjetësoj për veriun, kërkon nivel më të lartë

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, ka deklaruar se nuk e di nëse veriu i Kosovës do të jetë temë në bisedimet me Serbinë, por siç ka theksuar ai, “e di që është një problem me të cilin duhet të merremi shpejtë”. Sipas tij, gjithçka që është biseduar ka qenë politike, por veriu është shumë më shumë temë politike.
 

“Sidoqoftë, nuk mund të imagjinoj që edhe me veriun të merremi në të njëjtën mënyrë sikurse me çështjet tjera”, ka thënë ndërmjetësi i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk do të pranonte të ndërmjetësonte për një temë siç është veriu, duke u shprehur se kjo duhet bërë në nivel më të lartë.
 

Zyrtarët kosovarë vazhdimisht kanë hedhur poshtë hapjen e negociatave për veriun në kuadër të bisedimeve të cilësuar si teknike, të cilat filluan në marsin e kaluar. Por, diplomati evropian, e quan qesharak dallimin në mes të dialogut teknik dhe politik që është bërë deri më tani nga palët.
 

“E di se po diskutojmë çështjet teknike, por e di se në njërën anë presidenti, e në tjetrën kryeministri kanë vëzhguar për së afërmi, kështu që ka qenë çështje politike”, ka thënë Cooper, i cili një vit pas nisjes së bisedimeve nën ndërmjetësimin e tij, ka shprehur pakënaqësinë me dinamikën dhe pamundësinë e arritjes së marrëveshjeve për çështje të caktuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›