Serbia-EULEX: Merrni përsipër rastin e serbëve të arrestuar
Ministria serbe për Kosovën i ka kërkuar sot EULEX të marrë përsipër rastin e punonjësve të Telekomit të Serbisë, të cilët janë arrestuar një ditë më parë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare me Serbinë, Dheu i Bardhë, pasi dyshohej se po zhvillonin tregti të paligjshme, duke i lënë nën masën e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, Ministria serbe për Kosovën ka thënë se ekziston dyshimi se arrestimi “është edhe një tregues se Prishtina dëshiron të kryejë presion të ri ndaj serbëve duke u pamundësuar punën në ndërmarrjet, që nuk kanë ndikim politik”.
Telekomi i Serbisë ashtu si insititucionet tjera serbe publike veprojnë në Kosovë si struktura paralele, të cilat vazhdojnë të financohen nga Beogradi zyrtar.