Cooper dënon sulmin ndaj delegacionit serb në Kosovë

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper, e ka dënuar sulmin e djeshëm kundër konvojit të delegacionit të Serbisë në Prishtinë.
“Aktet të tilla nuk janë në harmoni me frymën e dialgout. Delegacioni ishte pjesë e grupit të punës në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në deklaratën për media të Robert Kuper.
Më tej, në deklaratë theksohet se Bashkimi Evropian do ta vazhdoj ndërmjetësimin e dialogut Prishtinë- Beograd dhe të dy palët po takohen sot për implementim të mëtejshëm.
“Duhet të jetë e qartë se ky dialog nuk është vetëm për arritjen e marrëveshjeve, por më tepër e rëndësishme është implementimi dhe synimi që të pëfitoj populli në të dy anët”, thotë Kuper.
Kuper ka theksuar gjithashtu se “implementimi është kërkesë kryesore për progresin e secilës palë në rrugën e tyre drejt integrimeve në BE”.