E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk na kanë sjellë as rroba për t‘u ndërruar"

Kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në Durrës, buzë detit, por janë lënë në mëshirë të fatit. Ndërkohë, disa janë në kërkim të vendosjes së kontakteve me familjarët e humbur. Vizitat e figurave të larta të qeverisë dhe opozitës nuk u kanë munguar gjatë ditës së djeshme, por askush nuk është kujtuar t‘u sjellë veshje dhe ndërresa. Mbajnë mbi trup të njëjtat rroba që kishin në momentin kur morën arratinë. Kanë lëshuar thirrjen për ndihmë konkrete dhe për t‘u kthyer në shtëpitë e tyre të lëna në mëshirë të fatit. "Jemi gra. Kemi nevojë për t‘u ndërruar, veten dhe fëmijët. Ushqimi nuk është gjithçka", - thirrja ka ardhur nga gratë e strehuara në Durrës, ndërsa burrat e tyre janë nisur për të vëzhguar situatën në vendbanimet e tyre. Mes tyre ka dhe foshnja, njëra prej tyre e familjes Kasata nga Maminasi, vetëm 4- muajshe. Rruga e kthimit duket sa e shkurtër, aq dhe e gjatë për ta. "Kam nevojë për ilaçet e mia. Ajo që kaluam, gjendja e shtëpisë m‘i ka bërë dhe më të nevojshme", - thotë një grua nga Marikaj, po tronditja që po kalon nuk e lë të kujtojë as emrin e medikamentit që merr rregullisht. Flasin për qindra shtëpi të dëmtuara në fshatrat e tyre. Dëme të mëdha që nuk dinë si do t‘i riparojnë. Nuk kanë forcë të mendojnë se qeveria do t‘i ndihmojë, pasi gjykojnë se në rast se do t‘i interesonte vërtet shtetit jeta e tyre nuk do të kishte lënë të kryhej zbërthimi i aq shumë municioneve në një zonë të banuar.

Në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme janë strehuar natën e së shtunës 83 familjarë nga Marikaj, Maminasi dhe fshati Karreç, ndërsa në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku ndodhet dhe Komanda e Forcës së Bashkuar, janë strehuar fillimisht 40 familjarë nga fshati i tragjedisë, Gërdeci, dhe Marikaj. Një pjesë e mirë e tyre janë larguar për t‘u strehuar te të afërmit, në pritje për t‘u kthyer në shtëpitë e tyre të dëmtuara. Në Kavaleshencën e Ministrisë së Mbrojtjes kanë mbetur vetëm 10 familjarë. Informacionin e jep major Astrit Kondi, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun. Ai thotë se komanda nuk lejon futjen e gazetarëve brenda mureve të saj dhe për informacion të bollshëm të drejton drejt çadrës-qendër të ngritur në fshatin Gërdec. Kondi siguron se të strehuarve aty u janë siguruar ushqim, asistencë mjekësore dhe shërbim telefonik. Ai thotë se Forcat e Bashkuara kanë angazhuar në tragjedinë e Gërdecit 1213 trupa dhe 106 mjete.

Ndërkohë numri i të strehuarve ka rënë dhe në kavaleshencën tjetër, ku sipas drejtorit, numri i të strehuarve ka mbërritur në 54. Ndërkohë Shtabi i Emergjencës, i ngritur në Prefekturën e Durrësit dhe i drejtuar nga zv.kryeministri Gazmend Oketa njoftoi se kushtet e mbi 120 të strehuarve kanë qenë të mira. Po kontaktet me ta, vetëm pak orë më vonë, ndërsa mbushen 24 orë nga shpërthimi katastrofal që i dëboi nga shtëpitë flet për një realitet tjetër të tyre. Veshjet e baltosura të fëmijëve dhe grave dëshmojnë për pamundësinë për t‘u ndërruar. Kanë dalë nga banesat me rrobat e trupit dhe disa prej tyre janë zvarritur për të dalë jashtë rrezes së valës goditëse të shpërthimeve të njëpasnjëshme. Ka mes tyre që kërkojnë njerëzit e tyre.

Në kërkim të të humburve

"Duam nënën!". Dy vëllezër, Olsi dhe Gerald Gjika, përkatësisht 7 dhe 9 vjeç, kanë humbur nënën e tyre. Ajo quhet Drita Gjika. Kontaktin me të ëmën e kanë humbur dhe kushërinjtë e tyre. Djemtë tregojnë se në çastin e shpërthimit të madh, nëna e tyre ndodhej në banesë dhe me të kanë qenë dhe dy kushërinjtë e tyre. Mes atyre që janë sistemuar në Durrës, në pritje të qetësimit të situatës dhe vendosjes nën kontroll të plotë të shpërthimeve, ka dhe persona, kryesisht të mitur, që nuk dinë ku i kanë familjarët e tyre. "Nuk e di ku i kam njerëzit e shtëpisë." Me dhimbje, lot në sy dhe frikë për atë që po ndodh, Matilda Burga nga fshati Merqinet, shprehet se nuk di se ku janë familjarët e saj. Është 15 vjeç dhe ka humbur kontaktet me ta dhe qëndron në pritje që dikush ta kërkojë apo të mësojë se ata janë mirë dhe të takohen. Janë kryesisht fëmijë ata që kanë humbur kontaktet me njerëzit e familjes dhe shpresojnë se autoritetet do t‘u mundësojnë në një kohë sa më të shkurtër lidhjen me ta. Erges Herri tregon se shumë veta kanë ndenjur në fshat, duke ruajtur bagëtitë dhe rrinë nëpër bunkerë. Ata tregojnë për tmerrin që kanë kaluar në mungesë të tyre. Pasojat e shpërthimit qenkan edhe më të rënda kur sheh njerëz që kanë humbur kontaktet me të dashurit dhe nuk dinë asgjë për fatin e tyre.

Shtabi i Emergjencës, i ngritur për të përballuar situatën në prefekturë, ka vënë në dispozicion dy numra telefoni për çdo lloj informacioni dhe dhurimi. Numrat janë 052/23459 dhe 23559.

Burri qe me fat…

Valentina Sadiku, nënë e tri vajzave nga Marikaj, tregon se i shoqi, Behari, para 10 ditësh, kishte lënë punën në fabrikë. Atëherë ishte ndjerë keq, sepse kishte menduar se familjes iu hoq një e ardhur e sigurt nga puna e tij si roje në fabrikën ku bëhej çmontimi i predhave. Pas asaj që ndodhi të shtunën, ajo ndjehet me fat për fëmijët e saj dhe veten. "Po të kishte qenë në punë, nuk dihet nëse do ta kishim sot këtu?! Mezi bëra një shtëpi me dy dhoma dhe sot jam këtu, larg saj. Shtëpia është prishur dhe ne s‘dimë kur do të ikim prej këtej. Berisha duhet të mendojë ç‘do të bëhet me ne". Duke iu kthyer sërish veprimtarisë së fabrikës, Valentina tregon se i shoqi që punoi atje për 2 muaj e gjysmë, gjithmonë i shprehte frikën dhe pasigurinë që i ngjallte puna në të: "Mjafton një pakujdesi e vogël, një shkrepëse a cigare që gjithçka të hidhet në erë". Të tjerë pohojnë me kokë. Disa prej tyre thonë se do të kishin dashur të punonin në fabrikë më parë, për të pasur një rrogë, po ajo që ndodhi, i ka bërë të kuptojnë se dëshira për t‘u punësuar aty dhe mosrealizimi i saj kishte qenë fat për ta. Tashmë janë përqendruar te dëmtimi i shtëpive. "Veçanërisht ato në kodër janë tepër të dëmtuara. Ato në lugina kanë vetëm xhama të thyer, ose ndonjë derë të rënë. Unë do të kthehem në shtëpi. Atje gjithçka është rrëmujë. Njerëzit kanë filluar të kthehen në to. Në Vorë kanë plasur vjedhjet e mëdha. Të këqijtë po përfitojnë nga fatkeqësia dhe asnjë nuk po i ndalon",- ankohet Agim Herri nga fshati Karreç. Edhe të tjerë duan të kthehen, ndonëse kanë frikë të hedhin vetë hapin pa marrë miratimin e autoriteteve ushtarake. Jeta, pasuria e tyre është atje.

Shkolla e munguar

Pjesa më e madhe e të strehuarve në Durrës janë fëmijë, kryesisht në moshë shkolle, por edhe më të vegjël. Janë të traumatizuar, po disa prej tyre arrijnë të interesohen edhe për vatrën e dijes. Ǒdo të bëhet me ta? Kanë dëgjuar nga të rriturit që shkollat e tyre në fshatra janë prishur, ndërsa vetë janë larg tyre. Nuk dihet dhe për sa kohë. Ina Herri nga Maminasi, thotë për gazetën se nuk e di se çfarë do të bëhet me shkollën e saj. Do të donte që gjërat të shkonin normalisht, po e kupton se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Megjithatë është e interesuar për arsimimin e saj të ndërprerë keqazi nga një ngjarje, përmasat e së cilës nuk arrin t‘i kuptojë. Thotë se është shumë e frikësuar dhe se ishte jashtë shtëpisë kur ndodhi shpërthimi i madh. Si ajo, ka dhe shumë fëmijë, që nuk dinë nëse do t‘u duhet të ndërpresin shkollën dhe për sa kohë. Nuk e kanë mësuar ende vendimin e ministrit Pollo për pezullim të shkollës në këto zona.

Vizitat

Shtrëngim duarsh, përqafime dhe fjalë ngushëlluese dhe premtuese. Po njerëzit e traumatizuar kanë kërkuar më shumë se kaq. Kanë ngritur zërin dhe u kanë kujtuar VIP-ave të qeverisë dhe politikës, se përveç të ngrënit dhe një shtrati të ngrohtë, kanë nevojë të ndërrohen, të vishen dhe të marrin medikamentet mjekësore për sëmundjet e tyre kronike, si dhe kujdes për traumën e pësuar. Gjatë ditës së parë në strehën e përkohshme, banorët e fshatrave që u përfshinë në rrezen e shpërthimit janë vizituar nga drejtues të lartë të shtetit dhe opozitës. I pari që ka mbërritur në Durrës pas mesditës ka qenë Kryeministri Sali Berisha. Ai u ka premtuar familjarëve se Gërdeci do të rindërtohet dhe qeveria që ai drejton do t‘i ndihmojë për të riparuar të gjitha shtëpitë e dëmtuara. Berisha e ka vlerësuar të rëndë situatën në Gërdec të Vorës dhe tha se numri i viktimave nuk dihet ende. Kreu i Ekzekutivit nga Durrësi ofroi mbështetje për të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie dhe u bëri thirrje të strehohen deri në një moment tjetër në qendrat e pritjes në Durrës. Pak çaste më vonë, banorët janë vizituar nga kryesocialisti Edi Rama. Katastrofë traumatike për kombin shqiptar. Kështu e ka cilësuar Rama ngjarjen, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që të hapë numra llogarie për të pritur donacionet e huaja dhe vendase. "Ka njerëz që janë zhdukur dhe janë djegur në 1000 gradë",- tha Rama, duke lënë të kuptohet se ata janë me fat që kanë shpëtuar. Njëkohësisht, ai i ka bërë thirrje qeverisë t‘i kushtojë kujdesin e duhur trajtimit të njerëzve, fëmijëve të traumatizuar, shumë prej të cilëve i takoi dhe në Durrës. Pasi ka dëgjuar ankesat e grave dhe fëmijëve, me cilësinë e kryetarit të partisë, Rama i kërkoi kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, të ndihmojë konkretisht të mbijetuarit. Vizitat kanë vijuar me atë të delegacionit të qeverisë kosovare që kanë përcjellë te ta mesazhet e solidaritetit dhe mbështetjes të popullit kosovar. Ministri Fatmir Limaj i ka siguruar familjarët e traumatizuar se ngjarja ka tronditur tej mase Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›