Corriere della Sera: Berluskoni, sërish kandidat për kryeministër
Romë I ka kaluar javët e fundit duke shqyrtuar sondazhet, duke analizuar skenarët për zgjedhjet e vitit 2013, duke dëgjuar drejtuesit e Partisë Populli i Lirisë (PDL), sipërmarrësit dhe eksponentët ndërkombëtarë. Më në fund vendimi është marrë: Silvio Berluskoni do të rikandidojë në postin e kryeministrit. Sipas prestigjiozes Corriere della Sera, sondazhet e fundit që kanë mbërritur ne tryezën e Berluskonit flasin për të dhëna, të cilat Kavaljeri nuk mund të jetë indiferent.
Sondazhi
Nga sondazhet e kryera rezulton se një PDL pa Berluskonin nuk do të arrinte të merrte as 10 për qind të votave, ndërsa kandidatura e Angelino Alfanos për postin e Kryeministrit, me Kavaljerin në lojë si President i Partisë, mund të sigurojë një mbështetje rreth 18 për qind të votuesve. Ndërsa nëse Berluskoni do të jetë në garë për Presidencën e Këshillit, me një skuadër drejtuesish të rinj, nga votuesit do të sigurohej një mbështetje prej 30 për qind. Sigurisht ky rezultat nuk do të mjaftonte për të marrë drejtimin e vendit, por do ti jepte Berlusconit dhe partisë së tij një rol vendimtar për legjislaturën e ardhshme, sidomos nëse arrihet të krijohet një koalicion i madh që do ta ringrejë vendin dhe do të sigurojë rrugën për daljen nga kriza ekonomike.
Fushata
Dy muajt e verës do të shërbejnë për të përgatitur daljen në fushën e lojës së Berluskonit. Ky i fundit do të heqë dorë nga pushimet në Vilën Certosa ne Sardenjë dhe do të qëndrojë në Arcore, pikërisht që në shtator të jetë me kartat gati: një emër tjetër për Partinë, një skuadër 40-vjeçarësh që do promovojnë aventurën e re politike, konsultimet me liderët ndërkombëtarë, me të cilët ka mbajtur lidhje dhe gjetjen e kandidatëve të aftë për të marrë vota prej zgjedhësve.
Gjendet e vdekur gruaja e miliarderit të Tetra-Pak
Një nga gratë më të pasura të Mbretërisë së Bashkuar është gjetur e vdekur në perëndim të Londrës, ka konfirmuar Scotland Yard-i. Trupi i nënshtetases amerikane, Eva Rausing, 48 vjeç, anëtare e familjes së perandorisë së kartonave Tetra-Pak, u gjet në Cadogan Place, Belgravia. Shkaqet e vdekjes janë ende të paqarta, ndërsa policia po kryen hetimet e nevojshme. Një analize pas vdekjes ne morgun e Westminster nuk përcaktoi shkaqet e vdekjes se zonje Rausing. Gjithsesi pista e drogës është parësore nisur edhe nga e kaluara e viktimës e cila në vitin 2008 së bashku me bashkëshortin e saj u përball me akuzat për posedim droge teksa në shtëpinë e tyre u gjet hashash, heroinë dhe 52 g kokainë. Gjithashtu ajo është arrestuar me parë se kishte futur sërish kokainë dhe heroinë në Ambasadën e SHBA-ve në Londër. Ndërkohë që një 49-vjeçar është arrestuar në lidhje me vdekjen e gruas, deklaroi policia Metropolitane. Eva Rausing ishte nënë e katër fëmijëve.
Kapiteni i Konkordias: I kam viktimat në ndërgjegje
Kapiteni i kroceries italiane Kosta Konkordia, e cila u mbyt pasi u përplas me shkëmbinjtë duke vrarë rreth 32 persona në janar, tha se i vjen keq për katastrofën që ndodhi. Në një intervistë për televizionin italian Canale 5, Francesco Schettino tha se ai mendonte vazhdimisht rreth viktimave. Ato 32 viktima i ndjej në ndërgjegjen time, tha ai, ndërsa pranoi se ka pasur kontakte me disa familjarë të viktimave. Do më pëlqente ti takoja të gjithë shtoi ai teksa rrëfeu se ka pasur edhe situata të pakëndshme me ndonjë nga familjarët. Disa nga viktimat i njihja, si p.sh. kamarierin, gjithmonë buzagaz. E mendoj gjithmonë, por jo, nuk kam gjetur ende paqe, kujtoi Schettino. Mes të tjerave ai këmbënguli se faji duhej ndarë, duke thënë se anija kishte qenë nën komandën e një oficeri tjetër në atë kohë. Schettino mohon akuzat që përfshijnë vrasjen e personave dhe mbytjen e anijes.