Familjarët e Nazimes: Ishte betuar se ose do të vriste veten ose dhunuesin. Avokatja: Ngjarja mund të parandalohej
Historia tragjike e 18 vjeçares Nazime Visha e cila masakroi të hënën me rreth 29 plumba kallashnikovi ish bashkëjetuesin e saj ka marrë përmasa të mëdha, duke u kthyer në lajmin më me interes në media e në mbarë opinionin publik. 18 vjeçarja që mesnatën e së hënës vrau 45 vjeçarin Fiqiri Muça, ishte e vendosur që të shpëtonte nga persekutimet dhe dhuna që ai ushtronte mbi të prej 4 vitesh. Në familjen e gjyshërve, atje ku ndodhi edhe krimi, familjarët thonë se vajza ishte betuar, ose do ta vras ose do vras veten. Gjyshi 71 vjeçar, Dalip Visha tregon se mbesa gjatë kohës që qëndroi në Krrabë, fshihte një dhimbje të madhe, e cila sipas tij mori fund pas krimit. Ndërkohë pas publikimit në gazetat e ditës të mesazheve që vajza shkëmbente me viktimën, ngrihen dyshime për raportin e tyre të vërtetë, dhe në një farë mënyre rrëzojnë deklaratat e saj para policisë. Por sipas xhaxhait të vajzës, edhe mesazhet shkruheshin nën kërcënimet e vazhdueshme të 45 vjeçarit. Behar Visha tregon se viktima kishte bërë të pamundurën për të prishur fejesën e 18 vjeçares, duke kërcënuar me jetë edhe të fejuarin e saj. Për më tepër sipas xhaxhait, kërcënimet për familjen Visha vijojnë edhe tani pas vrasjes së Fiqiri Muçës, pasi të afërmit e tij janë betuar të marrin hak.
Precedenti
Nëse Prokuroria dhe Policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes se Nazime Vishës, në atë kohë ende pa mbushur 18 vjeç, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie. Kjo është deklarata e avokates së caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten, e cila është në pritje të daljes para gjykatës për akuzën e vrasjes me dashje. Avokatja Vjollca Pustina deklaron se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë ne klasën e tetë ose thënë ndryshe ende pa mbushur 14 vjeçe. “Vajza ka deklaruar se kur ka qëndruar me viktimën në një pyll të Bulqizës është dhunuar sistematikisht 11 ditë. Nëse do të kishin qenë hetime më të thella dhe më këmbëngulëse nga policia ndoshta kjo ngjarje do të ishte parandaluar dhe ndoshta do të ishte zbuluar edhe një skandal pedofilie. Fakti tregon që një burrë në atë moshë të abuzojë me një fëmijë që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç, Kodi Penal i dënon marrëdhëniet seksuale me të mitura”, tha Pustina. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se vajza e ka qëlluar Fiqiri Muçën, 45 vjeç, baba i pesë fëmijëve, pesë herë, ndërsa gjatë ndjekjes së tij deri sa e ka vrare ajo ka zbrazur plot 29 plumba kallashnikovi. Viktima e kishte kërcënuar me vrasje vajzën, me vrasje të familjarëve të saj. Nuk duhet të harrojmë edhe kushtet në të cilat jetonin, nivelit arsimor, kulturor, vendin ku ata jetojnë”, thotë avokatja. Avokatja thotë se ka prova që viktima ka shkuar dhe e ka marrë me dhunë edhe në shkollë të miturën, duke hedhur poshtë një lidhje normale mes një vajze dhe një burri, por një viktime dhe një dhunuesi.