E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, masakër në premierën e Batman, 12 të vdekur

Të paktën 12 persona kanë mbetur të vrarë në një incident me armë zjarri të verifikuar gjatë premierës së filmit Batman, në qytetin e Denverit, në SHBA. Policia amerikane ka deklaruar se rreth 50 persona kanë mbetur të plagosur në këtë ngjarje. Ndërsa dëshmitarë të ndryshëm deklaruan se një person, i veshur me maskë anti-gaz, hapi zjarr dhe hodhi disa objekte që ngjasonin me bomba gazi.
Autori
Mësohet se agjentët e policisë kanë ndaluar një person të dyshuar, një 24-vjeçar, i cili është kapur në zotërim të dy armëve dhe u ka thënë agjentëve se kishte sasi të mëdha eksplozivi në apartamentin e tij. Shefi i policisë, Dan Oates tha për gazetarët se apartamenti në fjalë, në veri të lagjes periferike Aurora, u evakua si rrjedhojë e këtij informacioni. Dëshmitarët na thanë se ai hapi një lloj kutie. Ata dëgjuan disa vërshëllima, panë gazin që doli dhe autori hapi zjarr. Të shtënat zgjatën për disa minuta, deklaroi Oates. Zyrtari i lartë i policisë shtoi se dhjetë persona mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital për shkak të plagëve.
Hetimet
Të plagosurit janë dërguar në një spital të afërt, Qendra Mjekësore Suedeze, drejtuesit e të cilës kanë konfirmuar se shumica e tyre kanë plagë plumbash. FBI ka njoftuar se po bashkëpunon me policinë lokale, se hetimet janë ende në fazat fillestare dhe se për momentin nuk ka të dhëna për një lidhje të mundshme me terrorizmin. Ndërkohë, një dëshmitar ka thënë për kanalin 9News se gjatë një skene të shtënash të filmit, ai dëgjoi të shtëna të fuqishme dhe pa të dilte tym, duke menduar se ishin efekte speciale live. Ndërsa një tjetër person, i cituar nga CNN ka deklaruar: Një tip ngjiti me ngadalë shkallët duke hapur zjarr ndaj njerëzve që i dilnin përpara. Ndërkohë, një banor i Denverit, i identifikuar me emrin Jenn, ka postuar në edicionin online të BBC këtë mesazh: Aurora njihet për kuotën e lartë të kriminalitetit dhe të them të drejtën, pavarësisht fatkeqësisë, ajo që ka ndodhur nuk është një surprizë për këtë zonë.

Obama: Të qëndrojmë së bashku si një familje e vetme
Presidenti amerikan Barack Obama, në një deklaratë për shtyp tha, se ai dhe zonja e parë Michelle Obama janë shokuar dhe trishtuar nga ngjarja e tmerrshme tragjike në Kolorado. Ne jemi të vendosur të nxjerrim para drejtësisë këdo që është përgjegjës, të garantojmë sigurinë për njerëzit tanë dhe të kujdesemi për ata që janë të plagosur. Ashtu sikurse bëjmë kur përballemi me momente dhe sfida të vështira edhe tani duhet të veprojmë si një familje e vetme amerikane, deklaroi presidenti i SHBA-së.

Presidenti Topi ngushëllon Obamën
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut amerikan Barack Obama për ngjarjen tragjike të Kolorados ku humbën jetën 12 persona. Me hidhërim të madh mësova mbi vrasjet e kryera në një kinema të shtetit amerikan të Kolorados, ku humbën jetën 12 qytetarë të vendit tuaj, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Më lejoni Shkëlqesi, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi gjithë popullin mik amerikan dhe mbarë botën, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, tju shpreh Juve dhe familjeve e të afërmve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta! Shpresoj që pasojat e kësaj tragjedie të kalohen sa më shpejt dhe urojmë që fatkeqësi të tilla të mos ndodhin më kurrë!, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.

Ja kush është vrasësi Batman
Personi që qëlloi dje në një kinema në Denver, SHBA, është një student i vetmuar, që kishte pak kohë që kishte hequr dorë nga doktoratura në neuroshkencë. James Holmes, 24 vjeç, po studionte në Universitetin e Kolorados për mjekësi deri në qershor të këtij viti. Ai qëlloi në kinema ndërkohë që po shfaqej filmi më i ri i Batman, duke lënë 12 të vdekur, mes tyre edhe një fëmijë 12 vjeç. Fqinjët e tij në universitet thanë se ai ishte një person i vetmuar. Një student tha se askush nuk e njihte. Nëna e tij e shokuar konfirmoi se ai është personi që ka kryer masakrën. Holmes hodhi një granatë tymuese përpara se të hapte zjarr, duke lënë të paktën 12 të vdekur e dhjetëra të plagosur. Mendohet se një e plagosur është vetëm tre muajsh. Autori mbante veshur jelek antiplumb. Holmes u arrestua në parkingun e kinemasë, pa bërë rezistencë. Disa dëshmitarë thonë se ai nisi të qëllonte kur edhe në film nisën krismat. Pyetja që lind është nëse vrasësi është frymëzuar nga seritë e heroit Batman? Mendohet se në një nga edicionet e Batman, një vrasës shfaqet në kinema, duke hapur zjarr mbi të pranishmit. Përpara se të kryente vrasjen, ai kishte dëgjuar të njëjtën këngë vazhdimisht, madje e kishte lënë të luhej edhe në makinë. Pikëpyetje kanë lindur se përse në orët e vona në kinema kishte fëmijë dhe bebe. Në apartamentin e tij janë gjetur materiale shpërthyese. Ai po merret në pyetje. Dëshmitarët thonë se gjatë masakrës ai ishte shumë i qetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›