E Shtunë, 31 Tetor 2026

Countryman -Topi: Të rivendoset dialogu politik

Presidenti Bamir Topi shpreh vullnetin dhe angazhimin institucional që në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, të japë kontributin e tij maksimal në përgatitjen sa më mirë e në kohë të zgjedhjeve lokale dhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë të votuesve në to, të cilat do të ndikonin pozitivisht jo vetëm në imazhin ndërkombëtar dhe të ardhmen integruese të Shqipërisë, por dhe në funksion të interesave të qytetarëve të saj. Ky ka qënë mesazhi i presidentit gjatë takimit të mbajtur sot me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Tomas Countryman.

Kryetari i shtetit theksoi dhe njëherë gadishmërinë e tij personale dhe institucionale, që në respekt të ligjeve dhe të interesave madhore kombëtare, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që garanton zgjedhje të drejta, korrekte dhe demokratike dhe që inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe të gjithë infrastrukturën zgjedhore.

Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Countryman nënvizuan rolin moderator dhe konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon si dhe theksuan faktin se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë projektuar qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Tomas Countryman, shprehu mirënjohjen për pritjen e rezervuar dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm konstruktiv e moderator të Presidentit Topi në funksion të shtetit të së drejtës, ruajtjes e forcimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për qëndrimin e drejtë institucional ndaj ngërçit politik të krijuar nga partitë politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›