Countryman Nga zgjedhjet varet integrimi

“E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Suksesi i këtyre zgjedhjeve mund të përshpejtojë ose ngadalësojë këtë proçes. Natyrisht ne duam një përshpejtim të proçesit dhe këtë gjë e meriton populli i Shqipërisë”, theksoi Countryman.
“Komisioneri Fyle është eksperti kryesor përsa i përket integrimit. Nëse ai ka thënë se moszhvillimi i zgjedhjeve në mënyrën e duhur do ishte një kthim mbrapa për Shqipërinë atëherë unë si diplomat amerikan nuk mund të them të kundërtën. Por çështja nuk është vetëm teknike dhe megjithatë unë kam një mendim se Shqipëria rrezikon nëse zgjedhjet nuk do të ishin të pastra. Në fakt ky vend nuk ka bërë përpara drejt një axhende për ta çuar vendin për të qenë më i begatë. Dështimi në këto zgjedhje, apo për të zgjidhur ndonjë paqartësi, rrezikon vazhdimësinë e kësaj mungese parimi dhe veprimi nga ana e parlamentit. Si në çdo vend tjetër njerëzit do të gjejnë mënyra për të ecur përpara. Njerëzit do të ecin përpara edhe nëse parlamenti nuk e bën punën e vete, por nuk është ajo çfarë në presim”, tha Countryman.
Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA-të njohin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin përgjegjës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“SHBA vazhdojnë të insistojnë për respektimin e institucioneve të pavarura që janë krijuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe kjo përfshinë edhe KQZ-në, ndonëse nuk është i pavarur politikisht, sikurse nuk perceptohet. U takova me zotin Ristani sot dhe i shpjegova se KQZ duhet të tregohet e drejtë dhe transparente me të gjitha vendimet që do të marrë. SHBA respektojnë KQZ-në si institucion për të vendosur që këto zgjedhje të jenë të drejta”, theksoi Countryman.
Duke folur për lirinë e mediave ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që fjala e lirë të respektohet dhe asnjë qeveri nuk duhet të bëjë përpjekje të shtypë apo kontrollojë pushtetin e katërt.
“Liria e mediave shkon bashkë me përgjegjësinë e mediave. Nuk duhet të ketë përpjekje nga asnjë qeveri të shtypë apo dominojë median që të marrë një mbulim të favorshëm. Ndërkohë media ka një përgjegjësi përpara publikut shqiptar të shmangte atë retorikë politike që do të nxiste debatin, por jo dritën përtej tij”, tha Countryman.
Transparencën e zgjedhjeve, sipas Countryman, e duan të dyja palët kryesore në vend janë dakord për bërjen e saj, por nuk bien dakord vetëm për mënyrën se si do të bëhet.
“Të gjitha partitë kanë thënë se besojnë tek transparenca para, pas dhe gjatë zgjedhjeve. Megjithatë ato kanë opionine të ndryshme për sa i përket arritjes së transparencës dhe kjo është një çështje që mund të trajtohet përmes dialogut mes dy palëve”, deklaroi Countryman.
“Transparenca është një vlerë. Ajo është shumë e rëndësishme për një demokraci dhe të dyja partitë ndajnë këtë vlerë. Proçedura specifike për ta realizuar këtë, është ende në debat. Nuk jam i sigurt nëse mund të quhet dialog politik apo teknik, apo nëse duhet të mbahet mes partive në parlament apo KQZ, por është një dialog që duhet të zhvillohet urgjentisht. OSBE e ka të saktë që është shumë vonë për të bërë ndryshime në Kodin Elektoral, por nuk është vonë që partitë të mund të bien dakord për rregullat e zhvillimit të fushatës dhe proçedurat”, theksoi Countryman.