E Martë, 3 Nëntor 2026

Çuçi: Saranda transformim historik, perla e Mesdheut me turizëm 6-mujor të garantuar

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi nga Saranda, ku edhe u zhvillua sot takimi përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit, tha se Vlora si qark, por sidomos Saranda “ka pësuar një transformim historik, nga një qytet i harruar me turizëm 1-mujor sot është perla e Mesdheut, me turizëm 6-mujor të garantuar”.

“Çfarë energjie sot në këtë takim përmbyllës të fushatës këtu në Sarandë ku për një muaj kemi qenë me ju për t’i kërkuar shqiptarëve votën për mandatin e katërt. Kemi qenë me ju gjithë këtë muaj sigurisht për të thënë shqiptarëve atë që ne kemi bërë për Shqipërinë në tre mandatet që kemi qeverisur Shqipërinë, ku Vlora si qark dhe sidomos Saranda kanë pësuar një transformim historik nga një qytet i harruar me turizëm 1-mujor sot është perla e Mesdheut, me turizëm 6-mujor të garantuar”, tha Çuçi.

Çuçi tha se PS po kërkon mandatin e katërt për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Kemi qenë me shqiptarët për t’u thënë çfarë kemi bërë, për t’i thënë që do të bëjmë akoma më tepër për projektet e mëdha që kemi për Shqipërinë, por këtë herë këtë fushatë kemi ndarë një gjë shumë më të madhe dhe kemi ardhur tek shqiptarët për të kërkuar mandatin për një gjë shumë më të madhe që nuk lidhet thjesht me qytetin tonë, me lagjen tonë, por lidhet me të ardhmen e Shqipërisë, familjeve tona, fëmijëve tanë, sepse mandatin që ne do të marrim nga shqiptarët më datën 11 maj, ne, PS me Edi Ramën në krye do të çojmë Shqipërinë në BE, një vend me të drejta të plota si anëtare e familjes evropiane. Kjo gjë është një ëndërr që kemi pasur që nga lindja e shtetit shqiptar dhe sot nuk është më një e tillë por është një realitet: në 2030-n Shqipëria do të bëhet më në fund pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Çuçi.

Çuçi shtoi “të gjitha këto transformime, i gjithë ky rrugëtim, ky ndryshim i Shqipërisë për të qenë një vend me standard të BE-së nuk ka ardhur vetë, nuk ka sesi të ndodhte nëse në 2013-n ne, PS me Edi Ramën në krye nuk do të vinim në krye të punëve të Shqipërisë”.

I ndalur tek kandidatët e PS-së për qarkun Vlorë, Çuçi tha “sot jemi këtu bashkë me ekipin që kemi zgjedhur si kandidatë për datën 11, për zgjedhjet e 11 majit, ku besoj se në këtë muaj ju jeni takuar me të gjithë ata dhe mendoj se çdokush jo në këtë shesh, po kudo që ndodhet, e ka gjetur veten e tij, sepse çdo kandidat përfaqëson dikë nga ju, një grup tuajin, apo të gjithë ju dhe kjo është një garanci më shumë që mbas datës 11 ne të jemi parën jush, pranë jush për të qenë bashkë edhe në këtë 4-vjeçar që siç thashë është 4-vjeçari më i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›