Rama: Vota 11 majit, përgjegjësi historike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Sarandë.
Në fjalën e tij kryetari i PS-së theksoi se vota e 11 majit është përgjegjësi historike për përmbushjen e një misioni kombëtar siç është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“11 maji është shumë i ngjashëm me 22 Marsin, sepse më 11 maj vota ka një peshë shumë më të madhe sesa thjeshtë pëlqimi për një forcë apo një forcë tjetër, ka peshën e një përgjegjësie historike, lidhur me përmbushjen e një misioni kombëtar lidhur me qëndrimin në funksion të një interesi kombëtar që është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Rama shtoi se “asnjëherë më parë, në asnjë palë zgjedhje të tjera, kjo çështje nuk ka qenë një çështje e shtruar në rendin e ditës, ka qenë çështje aspirate, një aspiratë që ne kemi trashëguar nga të tjerë, sepse kjo aspiratë nis me profecinë e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, profeti i historisë sonë kombëtare, i cili vuri barrikadën këtu. Nuk kishte BE në atë kohë dhe Evropa nuk ishte ajo që u bë në shekujt me pas, por Europa ishte aty, dhe ai vuri barrikadën dhe vendosi që bijtë e tij nipërit tij, stërnipërit tij do të vendoseshin në Perëndim dhe jo në Lindje në Evropë dhe jo në Azi dhe kështu vazhdoi profecia derisa rilindësit tanë e kthyen atë në një amanet të shkruar duke u bërë bashkë për të vendosur alfabetin dhe zgjodhën alfabetin latin dhe e lanë me shkrim për ne dielli lind nga perëndon që do të thotë ne i përkasim Evropës, jo Azisë”.
Kryesocialisti vijoi më tej “pastaj ju e dini historinë, shumë gjëra të rënda ndodhën dhe për fat të keq, në shumë gjëra të rënda që ndodhën, sepse shpeshherë pseudopatriotët tanë ia lënë fajin gjithmonë të huajve, Evropës, ia lënë fajin armikut të jashtëm, por nëse ne shikojmë historinë tonë me objektivitet s’ia kanë bërë të huajt atë që i kanë bërë shqiptarët e mbrapshtë këtij vendi. Historia rrodhi deri kur më në fund kupa u mbush dhe populli doli në rrugë, i paorganizuar, u lëshuar në ajër dhe u formua tamam si një ylber në qiell mbas një furtunë ajo thirrja nga shpirti: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.
Rama tha po ashtu se trazirat që ndodhën në 1997 e larguan vendin nga Evropa, ndërsa theksoi se nuk i bënë të huajt, por “shqiptari i mbrapshtë”.
“Kjo ka qenë historia e këtyre viteve, por ’97-a që na largoi nga Evropa, nuk e bënë të huajt, e bëri shqiptari i mbrapshtë. Mbrapshtësia e shqiptarëve dhe kështu ne humbëm një moment historik”, tha Rama.
Rama theksoi aspiratën e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027.
“Gjithmonë të tërë shqiptarë s’e kanë vënë në dyshim, duam të jemi pjesë e BE-së. Asnjëherë deri vjet BE nuk ka pasur gjë tjetër për ne, përveç fjalëve. Dera ka qenë e mbyllur, BE është një shtëpi të pasurish nuk e mban derën hapur çdo ditë ajo derë rri mbyllur dhe hapet kur të tërë ata 27 anëtarë që janë brenda bien dakord ta hapin derën dhe e hapin derën jo vetëm kur ti troket, por kur ti je gati dhe ata brenda kanë interesin e tyre që ti të hysh brenda, që do të thotë: nga një anë kanë krijuar besimin, kanë krijuar respektin dhe e kanë bërë vlerësimin që ka ardhur dita që ta japin ty shansin të hysh brenda. Kështu ka ndodhur me ne deri vjet, ju e dini shumë mirë sa herë ne ishim gati, sipas tyre, Komisionit, dhe kur shkonte te 27 krerët e vendeve dilte njëri ose tjetri, çdo vit dhe na refuzonin hapjen e negociatave”, tha Rama.
Rama theksoi “më në fund ne i bindëm ata i hapën negociatat Ajo që ka ndodhur dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë në këto ditë të mbetura drejt atij takimi me historinë është që na kanë dhënë një mundësi që nuk jia kanë dhënë askujt deri më sot. Na kanë dhënë një afat për të mbyllur negociata në tre vite, e kemi nisur vjet për t’i mbyllur në 2027. Tre vjet nuk i ka mbyllur asnjë vend tjetër ish-komunist”.
/r.e/