E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: “Ja çfarë na tha Hani në Ukrainë...”

Qendërmbrojtësi i Kombëtares: “Trajneri kërkon fitoren me Hungarinë”. Mbrojtësi i Vorsklës: “Do të bëjmë autokritikën e duhur pas Maltës”

Dash Frashëri

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, nuk u solli fat dy skuadrave të shqiptarëve, Krivbasit dhe Vorskla e Plotavës, gjatë vizitës së tij me karakter “vlerësues” në Ukrainë në fundjavën e kaluar, ku ndoqi në aksion dy ndeshje.
Si Krivbasi i Isli Hidit, Dorian Bylykbashit e Ervin Bulkut, ashtu dhe Vorskla e Debatik Currit, Armend Dallkut e Ahmed Januzit i humbën takimet në kampionatin ukrainas me kundërshtarët respektivë, Çernemoretsin (0-2) e Dinamo e Kievit (4-1).
Gjithsesi, holandezi u dha mesazhet e duhura lojtarëve të Kombëtares shqiptare në prag të sfidave shumë të rëndësishme kundër Hungarisë, më 28 mars në Tiranë e Danimarkës, katër ditë më pas në Kopenhagen.
“Trajneri Ari Han na takoi për disa minuta përpara fillimit të ndeshjes me Dinamon e Kievit. Na pyeti për gjendjen fizike, si timen ashtu dhe të Dallkut. I pranishëm në këtë bisedë të shpejtë ishte dhe Ahmed Januzi”, - tha përmes komunikimit elektronik Debatik Curri, duke shtuar se u fut gjatë pjesës së dytë të takimit, edhe pse ishte i dëmtuar.
“Hani na theksoi rëndësinë e ndeshjes me Hungarinë. Ta harroni sa më shpejt atë që ndodhi me Maltën. Duhet të bëjmë të gjithë bashkë ç’do sakrificë për ta fituar takimin, pasi na pret një ndeshje edhe më e vështirë si ajo me Danimarkën”, - theksoi Curri, i cili numëron 21 ndeshje me Kombëtaren, e një gol të shënuar kundër Holandës.
Duke folur për ndeshjen e humbur kundër Dinamos së Kievit, Curri tha se nuk duhej ta shihnin tragjike humbjen. “Dinamo e Kievit është ekipi që kryeson kampionatin dhe favoriti për titull këtu në Ukrainë. Golin e parë Dinamo e shënoi me penallti. Të them të drejtën, - theksoi Curri, - mua m’u duk se nuk ishte e tillë. Golat e tjerë pastaj u shënuan nga goditje standarde”.
Nga ndeshja kundër Hungarisë kanë mbetur më pak se 20 ditë. Currin nuk e shqetëson aspak dëmtimi i tij, në kalim e sipër. “Në fakt, jam dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës gjatë miqësores së fundit që zhvilluam në Turqi. Edhe pak ditë dhe rikthehem në gjendje optimale. Kështu që kundër Hungarisë do të jem fizikisht 100 për qind gati. Ndeshja kundër hungarezëve, jo vetëm për mua, por për të gjithë ne është e rëndësishme”.
Për ballafaqimin e dytë kundër Hungarisë në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”, trajneri Han do të ketë të gatshëm edhe Lorik Canën, i cili së bashku edhe me Altin Lalën, munguan në ndeshjen kundër Maltës.
“E kam thënë edhe për media të tjera, se në takimin kundër Maltës çaluam paksa në mesfushë, kështu që prania e Lorikut, por edhe ajo e Lalës, nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur, do të jenë me rëndësi të madhe”, - tha Curri.
Debatik Curri u shpreh i kënaqur për dy golat e Besart Berishës të shënuar në fitoren 2-1 të AC Horsensit të tij kundër Odenses, një skuadër e vendit të tretë në kampionatin danez.
“Besarti është një lojtar shpërthyes, po gjeti hapësirë nuk të fal. Dua ta përgëzoj Berishën. Shpresoj që ta bëjë këtë gjë edhe kundër Hungarisë, se na mundën (2-0) pa bërë një lojë të madhe në Budapest”.
Së fundi Curri flet edhe pak çaste për Ahmed Januzin, në prag të ndeshjes së Shqipërisë U-21 me Skocinë, më 28 mars 2009. “Ahmedi mezi e pret atë ndeshje. Është në formë të mirë fizike. Do të më bëhej qejfi shumë po ta niste me një gol ”, - përfundon Debatik Curri.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›