Curri: “Malta? Vetëm fitorja na hyn në punë”
Kur duhen edhe 15 ditë nga ndeshja e Kombëtares kundër Maltës dhe disa dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm si ato të kapitenit e zëvendëskapitenit të përfaqësueses, respektivisht Altin Lalës e Lorik Canës, e kanë shqetësuar jo pak trajnerin Ari Han dhe kanë trishtuar ambientin kuqezi, ka dhe titullarë që e ruajnë optimizmin për një tjetër sukses kundër maltezeve. “Vetëm se duhet të bëjmë shumë kujdes”, - paralajmëron qendërmbrojtësi Debatik Curri në linjë telefonike nga Antalia. “Synimi ynë është ta fitojmë patjetër këtë takim”. Vorskla ka zhvilluar dy miqësore në tri ditët e fundit, ku të dyja, si me rusët e Amkarit, ashtu dhe me Arsenalin e Kievit, përfunduan në barazim pa gola.
Debatik, janë përmendur shumë pista transferimi gjatë merkatos dimërore. Skuadra turke, gjermane e ruse. Si qëndron e vërteta?
Po. Dhe unë, të paktën përmes mediave të këtyre vendeve dhe atyre shqiptare, kam dijeni, por gjithsesi mbeten në kuadër të merkatos.
Shturgardi, Borusia e Dortmundit, Këlni e Herta e Berlinit në Gjermani janë përmendur si ekipe që kanë shfaqur interesim për ju. A keni pasur ndonjë kontakt zyrtar me ju apo menaxherin tuaj?
Me Hertën e Berlinit negociatat patën një fazë më konkrete. Njerëz pranë klubit gjerman kontaktuan me presidentin e klubit tim, Vorsklën, por nuk pati më tej zhvillime. Nuk e di ku ngecën bisedimet.
A pati ndonjë bisedë me ju konkretisht për të njohur edhe kushtet tuaja financiare?
Disa njerëz më kontaktuan edhe mua, por unë vendosa si kusht të parë nisjen e bisedimeve me Vorsklën përpara se unë flisja për kërkesat e mia. Kam dhe dy vite kontratë me klubin dhe natyrshëm që më duhet ta respektoj atë.
Së fundi u fol për refuzimin nga e ana e presidentit të klubit tënd të një ofertë të mirë nga skuadra turke, Gençlerbirli.
Po, është e vërtetë. Gençlerbirligi e kërkoi kartonin tim me më pak para. Mua personalisht më kontaktoi drejtori Sportiv i Gençlerbirlixhi, por natyrisht që i drejtova te drejtuesit e klubit të Vorsklës.
Më 11 shkurt, pas gati dy javësh, do të luajmë kundër Maltës. Si e parashikon Debatiku këtë takim?
Mendoj se është një ndeshje e vështirë. Duhet ta fitojmë patjetër këtë takim.
Ju keni shënuar gol kundër Holandës, ndërkohë që miku juaj më i ngushtë, Armend Dallku, golin e vetëm e ka shënuar kundër Maltës në fitoren 3-0. Si po e përjetoni të dy këtë takim?
Si unë, dhe Dallku, jemi në formë të mirë. Dhe këtë e treguam edhe sot, në ndeshjen kundër Arsenalit të Kievit. Kuptohet që flasim dhe për ndeshjen kundër Maltës. Dallku ma kujton shpesh që ka shënuar kundër maltezëve.
28 Janar 2009