Mesi: “Unë i pashitshëm? Ishte dhe Ronaldinjo, por...”
Merkatoja dimërore është në ditët e fundit të saj. Skuadrat po u japin dorën e fundit lëvizjeve. Lajmi më i madh vjen nga Spanja, ku fenomeni Leo Mesi lëshoi disa deklarata pak provokuese për tifozët. “Nuk kam qëllim të ndryshoj ambient, njerëzit e dinë si mendoj, - deklaroi Mesi në ‘TV3’, - por asgjë nuk e është e pamundur. Edhe pse kishte dhënë gjithçka për Barcelonën, Ronaldinjo në fund të sezonit u trajtua keq dhe e shitën. Gjithsesi, shpresoj se historia ime me Barçën të jetë ndryshe nga e tij. Dëshiroj të fitoj gjithçka me këtë klub. Ardhja e Guardiolës solli më shumë entuziazëm”. Fenomeni argjentinas ka në kontratë që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2014 dhe një klauzolë prishjeje kontrate të parakohshme që shkon në 150 milionë euro.
Ëndrra e Arshavinit
Andrej Arshavin mund të lëvizë drejt Arsenalit gjatë merkatos dimërore, por ai vetë nuk e ka fshehur interesimin për një transferim në Primera Division, ku më parë për rusin ka pasur interesim nga Barcelona e Reali i Madridit. Shoku i tij i skuadrës te Zenit St.Petërsburg, Martin Skrtel, pohoi se ai beson se Andrej Arshavin mund të jetë i suksesshëm në futbollin anglez, edhe pse ambicia e sulmuesit është Spanja. Skrtel, mbrojtësi aktual i Liverpulit në Angli, e pati më të lehtë të largohej nga Zeniti vitin e kaluar, ndërkohë që Arshavin e pati shumë të vështirë të gjente një klub jashtë Rusisë. Totenhemi ishte klubi i parë që tregoi interes për Arshavin, ndërkohë që më pas e bënë këtë edhe Barcelona e Reali i Madridit, por shuma e madhe e kërkuar nga Zeniti për transferimin e tij nuk e bënë të mundur lëvizjen e sulmuesit. “Arsenali e ndjek atë prej kohësh dhe unë jam i lumtur ta shoh atë të luajë në Angli, edhe pse kam dëgjuar se ai është më i interesuar të luajë në Spanjë”, - tha Skrtl për gazetën ruse “Sport Express”. “Arshavin shpenzoi shumë vite te Zenit dhe unë dëshiroj që ai t’u bashkohet klubeve të mëdha europiane dhe të tregojë vlerat e tij”.
Robinjo: “Nuk largohem”
Sulmuesi brazilian i Mançester Sitit hodhi poshtë spekulimet se ai dëshiron të largohet nga skuadra e tij, pas largimit të tij nga qendra stërvitore në Tenerife. “Unë nuk ika pa lajmëruar njeri. Shokët e skuadrës e dinë këtë. Gjoba ndaj meje nuk do të ishte e ndershme. Unë kam një kontratë me Sitin dhe unë do të qëndroj këtu. Dëshiroj të triumfoj në Angli dhe të luftoj të jem golashënuesi më i mirë”.
Arrestohet lojtari i Çelsit
Xhon Mikel Obi u arrestua dhe u gjobit pasi u gjet duke i dhënë makinës në gjendje të dehur përpara se Çelsi të luante në ndeshjen kundër Ispuiçit në Kupën e Anglisë. Mesfushori nigerian 21-vjeçar ishte duke drejtuar “Range Rover”-in e tij në mënyrë jo të zakonshme pranë terrenit të klubit të tij. Obi u gjobit për momentin dhe do t’i duhet të dalë përpara gjykatës më 3 prill. Lajmi u konfirmua edhe nga Çelsi.
Kapelo në “San Siro” për Bekamin
Fabio Kapelo pritet të jetë tifozi “VIP” në ndeshjen e së mërkurës midis Milanit e Xhenoas, ku trajneri i Kombëtares angleze të futbollit do të fokusohet tërësisht te Devid Bekam, përpara se të vendosë ta thërrasë atë për miqësoren e 11 shkurtit kundër Spanjës. Lajmi u dha nga gazeta angleze “Telegraph”.
GOLI - Bekam bëri një performancë të jashtëzakonshme në fitoren 4-1 të Milanit kundër Bolonjës, takim ku lojtari i huazuar nga Los Angeles Galaksi shënoi edhe golin e tij të parë në Serinë A.
KAPELO - Ish-kapiteni i Anglisë beson se me formën e tij aktuale ta ketë bindur Kapelon për të që në pjesë e përfaqësueses së “tre luanëve”, që mund të regjistronte edhe ndeshjen e tij të 108-të me Kombëtaren britanike.
REKORDI - Nëse do të luante, Bekam do të barazonte rekordin e vendosur nga Bobi Mur, si lojtari me më shumë ndeshje ndërkombëtare me Anglinë.
MILANI – Devid Bekam qëndron përfundimisht te Milani. Nisën të qarkullojnë edhe hipotezat e para për këtë operacion. “Pas muajit mars çdo gjë mund të ndodhë”, - pohoi juristi i klubit të Milanit, Leandor Kantamesa për “Sky”. “Bekam duhet të flasë fillimisht me Los Angeles Galaksi dhe t’u thotë atyre se ndihet mirë dhe vetëm atëherë do të nisim negociatat e reja për të mos e marrë më me huazim”.
AFATI- Huazimi i lojtarit përfundon me 8 mars, kur mbyllet edhe merkatoja italiane, por më 2 tetor të po këtij viti, sipas kontratës së nënshkruar me Los Angeles Galaksi, Bekam mund të largohet me parametra zero.
Ançeloti, akuza Murinjos: “I mungon respekti”
Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, akuzoi rivalin e tij te Interi, Hoze Murinjo, për mungesë respekti. Tekniku zikaltër u dëbua nga bankina nga gjyqtari Domeniko Çeli pas protestës së portugezit gjatë ndeshjes së fituar nga Interi 1-0 ndaj Sampdorias të dielën e kaluar. Murinjo e akuzoi Çelin se kishte frikë të jepte një vendim në favor të Interit. “Unë nuk besoj se Çeli kishte frikë. Besoj se Murinjo tregoi mungesë respekti me mënyrën se si e trajtoi gjyqtarin dhe besoj se vendimi për ta nxjerrë jashtë ishte i justifikuar”, - tha Ançeloti.
Murinjo, nga ana e tij, u mbrojt: "Kur ekipi im mundi Romën me një gol që ishte 10 centimetra ofsajd, u shndërrua në një skandal kombëtar. Kur të shtunën Fiorentinës nuk iu dha një penallti (kundër Juventusit) dhe goli i Meksesit për Romën ishte 20 centimetra ofsajd, nuk ndodhi e njëjta gjë”.
Pezullohet Adriano
Sulmuesi brazilian i Interit u ndëshkua me tri ndeshje pezullim, pasi goditi me grusht lojtarin e Sampdorias, Daniele Gastaldelo. Gjyqtari i takimit nuk e pa incidentin, por Adriano u ndëshkua nga Gjykata Sportive e Federatës Italiane pas pamjeve televizive. Adriano shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të Interit, që i mbajti zikaltërit në vendin e parë të Serisë A.
Objektivi i Romës
Trajneri i Romës, Luçiano Spaleti, pohoi se Roma mund ta përfundojë sezonin midis katër ekipeve me të mira në Serinë A dhe të zërë një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Roma fitoi 3-0 në transfertë me Napolin. “Fitorja jonë tregoi se jemi një ekip i fortë”, - tha Spaleti për mediat italiane. Roma ka fituar shtatë nga nëntë takimet e fundit në Serinë A.
27 Janar 2009