Bakaj: “Dua të debutoj me gol ndaj Tiranës”
Në kampionatin shqiptar Elis Bakaj ka disa argumente që të mburret: është lojtari më i ri në moshë, që debuton një ndeshje ndërkombëtare (vetëm 16 vjeç), por dhe blerja më e shtrenjtë në merkaton e brendshme shqiptare, teksa u transferua nga Partizani te Dinamo (klubi i tij aktual) për shumën e 100 mijë eurove. Blerja më e bujshme dimërore e 17-herë kampionëve të Shqipërisë
do të debutojë me fanellën e Dinamos në derbin kundër Tiranës (31 janar), një ndeshje që ka intriguar jo pak ambientin futbollistik shqiptar, pasi Dinamo vjen në këtë përballje pas një merkatoje shumë cilësore (katër emra të spikatur: Bakaj, Plaku, kroati Bodrusiç e argjentinasi Çeko). “Derbi është gjithnjë derbi dhe të jep kënaqësi ta fitosh atë”, - thotë për mediat mesfushori fantazist i Kombëtares së Shqipërisë dhe që ka luajtur me të gjitha përfaqësueset e moshave. Së fundi Bakaj u aktivizua në miqësoren e fituar 2-0 kundër Lihtenshtejnit (për 45 minutat e dyta) dhe tashmë ndodhet sipas burimeve pranë FSHF-së dhe në listën kundër Maltës.
Bakaj, tashmë duhet të jeni ambientuar me blutë pas fazës përgatitore?
Sigurisht që faza përgatitore prej 12 ditësh më ka ndihmuar shumë, pasi tani e ndiej veten më në formë. Kjo dallohet qartë. Jam ambientuar pasi te Dinamo të gjithë lojtarët kanë një frymë mikpritëse. Shpresojmë që ndaj Tiranes të arrijmë maksimumin tonë. Dinamo ka bërë një merkato shumë të mirë gjatë kësaj kohe dhe sigurisht që ka objektivat e saj për këtë vit.
Objektiv do të thotë titull, apo Kupa e Shqipërisë?
Mund të them pa modesti që Dinamo është për momentin skuadra më e mirë jo vetëm se është kampione, por sepse ka në gjirin e saj lojtarë profesionistë dhe shumë cilësore. Mendoj se objektivi i Dinamos këtë sezon është fitorja e titullit kampion dhe e Kupës së Shqipërisë. Këto dy trofe do të na sillnin edhe kupat e Europës më pas. Jam i bindur se kjo skuadër i ka potencialet e duhura për të fituar titull dhe kupë.
Më në fund vjen debutimi ndaj Tiranës, në një derbi ...?
Shpresoj të shënoj. Do të ishte një derbi i bukur, dua të shënoj një gol dhe t’ua dedikoja tifozëve të Dinamos, që më kanë pritur mjaft mirë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por kam besim se Dinamo do të tregojë vlerat e saj dhe sigurisht tri pikë do tëq na afronin më kreun e tabelës.
Goli i parë
Goli i parë i Elis Bakajt në kampionatin shqiptar lidhet ngushtësisht me skuadrën aktuale të tij, Dinamon, kur Elisi, atëherë vetëm 17 vjeç e 5 muaj, shënoi në humbjen 3-2 të Partizanit me Dinamon në javën e 12-të të sezonit 2004-2005.
3 gola kundër Tiranës
“Dua të debutoj me gol kundër Tiranës”, - u shpreh Bakaj. Dhe në fakt, Elisi (gjithmonë në radhët e Partizanit) ia ka shënuar golin e parë bardhebluve pikërisht në javën e fundit të sezonit 2005-2006, në barazimin 2-2 kundër Tiranës (java 36). Gjithsesi, po në këtë sezon Bakaj shënoi edhe një gol kundër Tiranës në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, në ndeshjen e kthimit të përfunduar 1-1. Një tjetër gol i Bakajt kundër Tiranës daton në sezonin 2007-2008, pikërisht në javën e 29-të, kur Partizani fitoi 2-1.
6 sezone me Partizanin
Sulmuesi 21-vjeçar, pas gjashtë sezonesh me Partizanin (nga sezoni 2003-2004), e veshi fanellën e kuqe në 135 ndeshje, duke shënuar në total 22 gola. Bakaj, në fakt, me Partizanin ka luajtur gjatë 17 javëve të para të këtij sezoni (11 ndeshje, 2 gola) dhe dy herë të tjera kundër Tiranës (java 3 dhe 14), duke lënë gjurmë si një lojtar profesionist dhe një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar.
28 Janar 2009