E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, rriten pagat për shërbimet mbështetëse

28/01/2009  Një projektvendim i Këshillit të Ministrave u heq atyre kompetencat policore

Përcaktohen shtesat në pagë me 2 mijë lekë për efektivët e policisë

TIRANË- Punonjësit e Policisë së Shtetit që u përkasin shërbimeve mbështetëse të uniformave blu u hiqen të gjitha kompetencat policore, duke marrë statusin e nëpunësit civil. Këshilli i Ministrave ka parashikuar një shtesë page prej 2 mijë lekësh për ta. Këto ndryshime e shtesa parashikohen në projektvendimin e Qeverisë “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve të disa institucioneve në varësi të ministrave të linjës”.

Rritja e pagës

Në listën e punonjësve që përfitojnë rritje page përfshihen 54 efektivët e rolit mbështetës, të cilët pa dallim grade do të përfitojnë të njëjtën shtesë. Qeverisë kjo rritje page i kushton 41 mijë lekë në muaj. Kështu, një drejtor drejtorie në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit që i korrespondon grada komisar nga 80.900 lekë që merr aktualisht do të përfitojë shtesë page prej 2 mijë lekësh. E njëjta gjë ndodh edhe me oficerët e tjerë që kanë gradën komisar, por që kanë funksionin e shefit të sektorit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa oficerët që kanë gradën nënkomisar dhe kanë funksionin e shefit të seksionit, nga 65.900 lekë që paguhen aktualisht do të marrin 67.900 lekë. Sakaq, efektivët me gradë kryeinspektor dhe kanë funksionin e specialistit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit apo në Drejtorinë e Policisë së qarkut nga 54.200 lekë që marrin aktualisht do të përfitojnë rritje prej 2 mijë lekësh. Ndërsa për efektivët e tjerë specialistë në komisariate apo reparte rroga nga 46.000 bëhet 48.000.

Shërbimet mbështetëse

Punonjësit e shërbimeve mbështetëse do të kalojnë nga funksione me kompetenca policore në funksione pa kompetenca të tilla. Këtu përfshihen ata punonjës që ushtrojnë funksione kryesisht mbështetëse ose logjistike. Në projektvendim parashikohet që meqenëse një pjesë e punonjësve të sistemit të Policisë së Shtetit, të cilët propozohen të përfshihen në këtë vendim, para miratimit të tij, kanë patur paga më të larta (ata paguheshin sipas gradave policore), në këtë projekt është parashikuar që ata që për shkak të vendimit pësojnë rënie në pagë, të ruajnë nivelin e pagës që përfitonin përpara se funksionet e tyre të kalonin në pozicione të shërbimeve mbështetëse pa funksione policore.

Komisar: Drejtor drejtorie në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit

nga 80.900 lekë që merr aktualisht do të përfitojë shtesë page prej 2 mijë lekësh

Nënkomisar: Shefi i seksionit

nga 65.900 lekë që paguhen aktualisht do të marrin 67.900 lekë

Kryeinspektor: Specialistit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit apo në Drejtorinë e Policisë së qarkut

nga 54.200 lekë që marrin aktualisht do të përfitojnë rritje prej 2 mijë lekësh

Efektivët e tjerë: Specialistë në komisariate apo reparte

nga 46.000 bëhet 48.000

Nëpunësit e burgjeve me status civil

Një tjetër projektvendim i Qeverisë është ai “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Ai u propozua për të rregulluar statusin e nëpunësve të administratës civile të Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve, duke iu garantuar statusin e nëpunësit civil. Në këto kushte miratimi i këtij projektligji do të plotësojë vakuumin ligjor të krijuar lidhur me kushtet dhe procedurat e pranimit, mënyrën e fillimit dhe mbarimit të marrëdhënieve të punës, zhvillimin e karrierës, garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve. Forma e përzgjedhur për të paraqitur këtë propozim është ligji për vetë faktin se statusi i një kategorie të caktuar punonjësish është një çështje që për nga natyra përcaktohet me ligj dhe jo me akte nënligjore. Punonjësit e administratës civile të Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve nuk ishin përfshirë në ligjin për nëpunësit civilë. Këtu rregullohet statusi i Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve dhe mënyra e emërimit dhe shkarkimit të Drejtorit të përgjithshëm të kësaj drejtorie. Gjithashtu ka një ndryshim në nenin 22 për Policinë e Burgjeve, ku parashikohen disa rregullime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›