Curri: Pa lojë sulmuese, ta harrojmë kualifikimin
Debatik Curri e ka vlerësuar me nota pozitive paraqitjen e Kombëtares shqiptare në Estoni. Megjithatë, ai thekson se kundër skuadrave të të njëjtit nivel, kuqezinjtë duhet të rrezikojnë më shumë për të marrë fitoren. "Me skuadra të tilla, ndaj të cilëve nuk mund të luash vetëm në mbrojtje, duhet të sulmojmë më shumë, ndryshe nuk mund ta mendojmë kualifikimin. Duhet të jemi të guximshëm, pse jo edhe të rrezikojmë disi për të kërkuar fitoren", tha ai. Sipas mbrojtësit, barazimi 0-0 në acarin baltik kishte vlera për moralin e skuadrës, madje duke theksuar se kundërshtarët nuk mund të quhen një skuadër e vogël. "Ishte mjaft e vështirë të luaje në ato kushte atmosferike, megjithatë mendoj se skuadra u paraqit shumë mirë. Në 45 minutat e para ishim ne ata që vendosnin ritmin e lojës. Ky barazim ishte mjaft pozitiv dhe besoj se në të ardhmen mund të arrijmë rezultate edhe më të mira. Vazhdojmë të kemi probleme kundër skuadrave të këtij niveli, megjithatë kishte edhe shumë faktorë pozitivë: luajtëm mirë, qarkulluam topin dhe krijuam raste për shënim. Estonia nuk na krijoi ndonjë rrezik të madh dhe nuk duhet të harrojmë se ata nuk janë një ekip i vogël. Ajo ka fituar me Belgjikën dhe ka humbur vetëm 1-0 në miqësore me Brazilin", deklaroi 25-vjeçari menjëherë pas kthimit në Ukrainë, plot dhjetë orë pasi përfaqësuesja u largua nga hoteli ku ishte akomoduar në Talin. Kjo miqësore ishte ndeshja e parë e edicionit të ri eliminator dhe sipas Currit, objektivi është që kuqezinjtë të arrijnë rezultate më të mira se në vitet e kaluara. "Edhe trajneri gjatë grumbullimit e theksoi se tani po fillon një cikël i ri. Mendoj se në Estoni, e cila ishte prova e parë e edicionit të ri, ndeshja nuk shkoi keq. Euro 2012? Duhet të presim dhe të shohim çfarë kundërshtarësh do të kemi në grup. Fakti që ndodhemi në vazon e pestë të shortit bën që të luajmë kundër skuadrave të vështira. Gjithsesi, gjatë gjithë vitit 2009 kemi regjistruar rezultate shumë më të mira se në vitet e kaluara dhe objektivi është të përmirësohemi vazhdimisht", shtoi ai. "Prej fillimit të përgatitjeve kërkonim rezultat nga kjo ndeshje. Hymë në fushë me synimin për të fituar dhe për shkak të mungesave në formacion u aktivizuan tri lojtarë të rinj, ndërsa disa të tjerë luajtën si zëvendësues. Në pjesën e parë edhe mund të kishim shënuar, ndërsa në fraksionin e dytë tempi i lojës ra disi". Trajneri Kuzhe nuk e ka fshehur asnjëherë ëndrrën për ta kualifikuar Shqipërinë në fazën finale të një aktiviteti madhor dhe Curri shprehet se kroati ka të drejtë: "Edhe unë mendoj se ka ardhur koha që të kualifikohemi. Nëse të gjithë lojtarët japin 100 për qind në çdo ndeshje dhe skuadra përforcohet me elementë të rinj, mund të marrim më shumë se në të kaluarën".