Curri-Vorskla, divorci në prag
Debatik Curri është shndërruar në një çështje tek ukrainasit e Vorskla Poltavas. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk e ka pranuar rinovimin e kontratës, të ofruar nga klubi dhe kjo ka mjaftuar që marrëdhënia të kriset. Marrëveshja e 26-vjeçarit me klubin që militon në Vyscha Liga përfundon pas gjashtë muajsh, ndërsa ai duket se ka ndërmend të provojë aventurën në një tjetër ekip. Megjithatë, tani gjithçka është shndërruar në një luftë nervash, ndërsa nuk ka munguar edhe presioni nga ana e trajnerit të skuadrës, Nikolai Pavlov. Ky i fundit ka folur ashpër rreth sjelljes së Currit, madje ka pohuar publikisht se nëse lojtari vazhdon të refuzojë rinovimin e kontratës, ai nuk do të përfshihet në planet për sezonin e ri futbollistik në Ukrainë. “Armend Dallku dhe Debatik Curri kanë vetëm gjashtë muaj të mbetura në kontratë me klubin. Dallku pranoi në parim që të rinovojë marrëveshjen, ndërsa Curri po shqyrton të gjitha alternativat. Por, një ofertë konkrete që i është paraqitur klubit ka qenë mjaft e vogël dhe ajo nuk do të merret parasysh”, deklaroi Pavlov. “Debatiku duhet të ketë parasysh se në një marrëveshje duhet të plotësohen kërkesat e tri palëve: të tijat, të Vorsklas dhe të skuadrës së interesuar. Mëkati më i madh në botë është mosmirënjohja. Curri do të qëndrojë edhe gjashtë muaj me ne, por ia kam bërë të qartë se nëse nuk rinovon, ai nuk do të jetë në planet e mia. Në këtë mënyrë i dhashë mundësinë që të bëjë një zgjedhje”. Ultimatumi është dhënë në formë presioni për faktin se klubi nuk dëshiron ta humbasë lojtarin me parametër zero. Mbrojtësi është elementi më i spikatur te Vorskla, ndërsa vlera e kartonit të Currit llogaritet deri në 3 milionë euro. Shifra e lartë që pretendon klubi është arsyeja përse kuqeziu nuk ka arritur të transferohet në një skuadër më të madhe.
#