E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranohet ankesa e Partizanit. FSHF heton Luftëtari-Kamza

Vendimi Dyshime për shitje të ndeshjes: Gjirokastritët përjashtojnë kapitenin Novi

Lufta për t’u ngjitur në elitë ka dalë nga fushat e lojës dhe zbret në tavolinat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në javën e 29 të Kategorisë së Parë, pas disa muajsh gare të ndershme sportive, janë shfaqur shenjat e tolerimeve. Ndeshja më e përfolur është ajo që u luajt të shtunën në Gjirokastër, ku Kamza fitoi me rezultatin 2-1 përballë Luftëtarit. Të mbështetur fuqishëm edhe nga tifozët e pranishëm në stadium, vendasit kanë kërkuar me ngulm fitoren, në mënyrë që t’i jepnin një “asist” Partizanit për një “biletë” drejt Kategorisë Superiore. Edhe pse ishin në avantazh për 75 minuta, në fund ata dolën të humbur nga fusha, pas një goli të kamzalinjve me Patushin në sekondat shtesë. Disfata u shoqërua me akuzat nga drejtuesit e Luftëtarit, se disa futbollistë kanë shitur ndeshjen, ndërsa në këtë situatë vepruan edhe krerët e Partizanit. Klubi i kuq ka depozituar në FSHF një ankesë për trukim rezultati: gjatë mbledhjes së zhvilluar dje, Komisioni i Disiplinës e mori në shqyrtim ankesën dhe angazhoi inspektorët e federatës që të nisin hetimet, për të mbledhur fakte nëse akuzat janë të vërteta. Pasi të kenë grumbulluar të gjithë informacionin e nevojshëm, inspektorët do të paraqesin një relacion tek anëtarët e Disiplinorit, të cilët do të vendosin për hapat e mëtejshëm.

Ndërkohë, hetime paralele me ato të institucionit që drejton futbollin në vend po bëhen edhe në Gjirokastër. Kryetari i bashkisë, Bime, dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur që të përjashtojnë kapitenin Neritan Novi, i cili është i akuzuari kryesor për shitjen e ndeshjes. Ndërkohë, burime zyrtare pranë skuadrës konfirmuan se po mblidhen informacione edhe rreth bashkëpunëtorëve të tij, ku emrat e përfolur janë ata të Gaxhës, Xhixhës dhe Stojës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›