Curri, asist De Biazit: Gati të luaj titullar

Debatik Curri
Rikthehet Debatik Curri në Kombëtare dhe është pikërisht ai që starton me konferencën e parë për shtyp, për sa u përket lojtarëve në prag të ndeshjes me Islandën. Qendërmbrojtësi (luan edhe në mesfushë si shkatërrues), i cili iu bashkua “familjes” së madhe të Kombëtares pas më shumë se 1 viti mungesë, deklaroi se është rikuperuar plotësisht dhe tashmë do të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij për përfaqësuesen. Mbrojtësi tha se është shumë i lumtur që i është bashkuar skuadrës, ndërsa shtoi se do të japë maksimumin që Kombëtarja t’i fitojë këto dy ndeshje. “Jam rikthyer pas një kohe relativisht të gjatë, por kam gjetur një atmosferë tejet të ngrohtë në skuadër. Më mungoi realisht kjo gjë, ashtu sikundër më ka munguar futbolli i fushës. Gjithsesi, kam lënë pas dëmtimin dhe tani jam rikthyer në formën time më të mirë. Personalisht gjykoj se jam gati për të luajtur në të dyja ndeshjet, por kjo është një gjë që duhet ta vendosë trajneri”, – ka thënë fillimisht Curri. Më tej, ai i ka bërë një ekspoze të shkurtër kundërshtarit, duke anashkaluar atë që islandezët mendojnë se e kanë armën e tyre më të fortë: lojën në ajër, për shkak të shtatlartësisë. “Islanda është një skuadër e vështirë për t’u kaluar dhe armën më të fortë ka lojën në ajër, por në këtë aspekt në jemi në rregull, pasi në gjirin e skuadrës kemi lojtarë shtatlartë dhe nuk duhet t’i kemi frikë. Këto dy ndeshje janë një mundësi shumë e mirë për të shkuar më tej, prandaj duhet t’i fitojmë me patjetër ato. Fillimisht duhet të mendojmë se si të mundim Islandën dhe, pasi ta kemi arritur këtë, të mendojmë për Slloveninë. Kemi një rast të mirë për të bërë përpara me këto dy ndeshje në krye të grupit”, – pohoi Curri. Sakaq, kosovari i kuqezinjve theksoi edhe faktin se skuadra duhet të jetë shumë e kujdesshme, pasi disa gabime kushtojnë shumë dhe janë të pandreqshme. “U treguam pak naivë me Qipron se pësuam një gol në një çast të vështirë, por me Islandën duhet të fitojmë patjetër. Kur pësohet goli, faji shkon më së shumti te mbrojtja, por mendoj se faji në këtë rast është i gjithë skuadrës.
Bastet/ Shqipëria, favorite ndaj islandezëve
Të vësh bast për Shqipërinë ndaj Islandës do të thotë që të fitosh një shumë të mirë parash. Kjo për faktin se koeficienti i kuqezinjve është relativisht i lartë, por gjithsesi favorit në krahasim me Islandën. Kështu, sipas kompanive të basteve, fitorja e kuqezinjve kuotohet me 2.25, ndërsa fitorja e islandezëve në “Qemal Stafa” këtë të premte kuotohet me koeficientin 3.20. Edhe barazimi ka të njëjtën kuotë (3.20), çka të bën të besosh se ishullorët do të tentojnë më së shumti që të mos dalin pa pikë nga kjo ndeshje. Sa u përket kuotave të basteve me pjesë, koeficienti më i ulët është fitore e Shqipërisë që në pjesë të parë dhe sigurisht fitore edhe në fund të ndeshjes (1/1), që kuotohet me 3.60. Barazimi në pjesë të parë dhe fitore e kuqezinjve në fund (sikundër ndodhi me Qipron) ka koeficientin 5.50, ndërsa barazimi në pjesë të parë dhe fitorja në të dytën e islandezëve kuotohet me 7.50. Rezultati më i paparashikueshëm është fitorja e Islandës në pjesë të parë dhe përmbysja e kuqezinjve në pjesë të dytë (2/1), çka kuotohet me 34.00.