E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri e Dallku, tri pikë shprese për Vorskla Poltavën

Debatik Curri dhe Armend Dallku i sigurojnë Vorskla Poltavës tri pikë shumë të rëndësishme në garën për të mbijetuar në Vyschia Liga. Në minutën e 90-të të ndeshjes kundër Metalurg Zaporozhias, në momentin kur rezultati ishte i fiksuar në shifrat 1-1, vendasit kanë shënuar një gol "Made in Albania". Dy mbrojtësit kuqezinj, të dalë në ndihmë të sulmit dhe pasimit të saktë të Dallkut nga e djathta i është përgjigjur Curri, i cili e ka dërguar sferën në rrjetë. Pas këtij goli, gëzimi i 24-vjeçarit ka qenë i pamasë: ai ka vrapuar në fushë, duke hequr fanellën, veprim për të cilin është ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari i ndeshjes. Më parë, Vorskla kishte kaluar në avantazh me Sergei, por miqtë janë kundërpërgjigjur me Kabanov, që në të 82-tën kishte risjellë baraspeshën. Dallku e Curri kanë luajtur si zakonisht përgjatë gjithë 90 minutëshit, ndërkohë që shqiptari tjetër që militon te kjo skuadër, Ahmed Jonozi është aktivizuar si zëvendësues, në minutën e 62-të të sfidës. Me 3 pikët e marra dje, Vorskla ngjitet në vendin e 12, me 23 pikë të grumbulluara, duke iu shkëputur zonës së rënies nga kategoria. Pavarësisht kësaj, distancat me rivalët për mbijetesë në elitën e futbollit ukrainas janë të ngushta dhe skuadrës i duhet impenjim maksimal deri në fund të sezonit. Me golin e shënuar të dielën, Debatik Curri bëhet shqiptari i katërt që shënoi në fundjavën e kaluar, pas Ervin Skelës, Fatmir Vatës dhe Dorian Bylykbashit. "Week-end" negativ në Itali, ku Erjon Bogdani dhe Igli Tare qëndruan përgjatë gjithë 90 minutëshit në stolin e rezervave. Livorno humbi 2-0 në fushën e Sampdorias, ndërsa Lacio barazoi 2-2 me Parmën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›